Qytetarë nga Serbia protestojnë në anën serbe të vendkalimit kufitar me Kosovën

  • Leonat Shehu

Your browser doesn’t support HTML5

Një grup qytetarësh nga Serbia protestoi të dielën në anën serbe të vendkalimit kufitar me Kosovën në Jarinjë në mbështetje të serbëve në veriun e Kosovës që po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në zonë.

Policia e Serbisë nuk lejoi afrimin e protestuesve të vendkalimin kufitar ndërsa në anën e Kosovës forcat e KFOR-it kanë bllokuar rrugën duke vendosur automjete ushtarake dhe tela me gjemba.

Për të nëntën ditë me radhë në veriun e Kosovës rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.

Policia e Kosovës tha se që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e pandryshuar dhe se dy vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura. Policia tha se është vendosur edhe një barrikadë e re në Zveçan.

Autoritetet në Kosovë akuzojnë Beogradin zyrtar për mbështetje të grupeve kriminale në veriun e vendit, ndërsa thanë se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar bllokadat dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim të përshtatshëm.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë njoftuan sot se në ditët në vijim do të zhvillojnë stërvitje të rregullta ushtarake në bazën e tyre në Novosellë. Sipas KFOR-it, “stërvitja synon të trajnojë njësitë e KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes në një situatë reagimi ndaj krizave dhe do të konsistojë në një seri simulimesh taktike dhe aktivitete logjistike duke përdorur autokolona ushtarake me automjete të rënda inxhinierike dhe helikopterë”, thuhet në njoftim duke nënvizuar se KFOR-i është plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve të ulin tensionet dhe t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.