Price: Dënimi i Sali Mustafës nuk është kundër UÇK-së apo Kosovës

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara mirëpritën vendimin e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë e cila dënoi ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, me 26 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Salih Mustafa, u shpall fajtor për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.

Lexoni edhe këtë Sali Mustafa dënohet më 26 vjet heqje lirie për krime lufte

Duke ju referuar vendimit të trupit gjykues, zëdhënësi Price tha se “vendimi nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit. Ky aktgjykim është një hap i fortë për të ndihmuar Kosovës që të mbështesë sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat”.

Zoti Price tha se SHBA-ja gjithashtu përgëzon “guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë dhe dënon kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”, tha ai.

Vendimi i djeshëm është i pari i Gjykatës së Posaçme që u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës mes reagimeve dhe protestave në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?”, shkroi mes tjerash kryeministri i KOsovës në një reagim në rrjetet sociale. “Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”, shkroi ai.

Kosova doli nga lufta e viteve 1998-1999 me mbi 10 mijë te vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur, ndërsa edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.