Osmani: Veriu i Kosovës, sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

  • Leonat Shehu

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se veriu i vendit vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë të cilat, tha ajo i shprehë nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave kriminale.

Your browser doesn’t support HTML5

Osmani: Veriu i Kosovës, sfidë për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

Ajo i bëri këto komente gjatë fjalimit vjetor në parlamentin e Kosovës, ndërsa u bënë gjashtë ditë që kur rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.

Presidentja Osmani fjalimi i së cilës u bojkotua nga një pjesë e opozitës tha se institucionet e Kosovës janë të vendosura të shtrijnë sundimin e ligjit në çdo pjesë të vendit.

“Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë edhe atyre në veri për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë. Natyrisht që bandave kriminale nuk iu pëlqen vendosmëria e institucioneve që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë para ligjit, atyre nuk iu pëlqen as zbatimi i ligjit në tërë territorin e vendit. Por, mbi të gjitha, nuk iu pëlqen lufta e pa kompromis ndaj krimit të organizuar e korrupsionit”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se këto grupe kriminale po mbështetën nga shteti serb, i cili sipas saj kohëve të fundit ka rritur edhe kërcënimet ndaj Kosovës.

“Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiç e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999”, tha ajo.

Autoritetet në Serbi thanë gjatë javës se do të kërkojnë nga forcat paqeruajtëse të NATO-s lejimin e kthimit të një numri trupash policore e ushtarake serbe në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se Shtetet e Bashkuara refuzojnë një kthim të tillë, duke nënvizuar se “kriza nuk duhet militarizuar”.

Zoti Escboar i cili së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak qëndroi në Beograd pas vizitës në Prishtinë tha se bllokadat ne veriun e Kosovës duhet të hiqen nga ata që i kanë vënë dhe se serbët duhet të kthehen në institucionet vendase prej nga u larguan në fillim të muajit nëntor, mes mospajtimeve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Presidenti i Serbisë Aleksanndër Vuçiç tha sot se ekzistojnë disa ide për të dalë nga kriza aktuale në veriun e Kosovës.

“Dje kam pasur diskutime me përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë, ekzistojnë disa ide por a do të kemi sukses, do ta shohim. Megjithatë situata nuk është e thjesht, është shumë e ndërlikuar. Do të japim çdo gjë nga vetja që të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë”, tha ai.

Të dërguarit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian qëndruan gjatë javës në Prishtinë e Beograd në një përpjekje për të ulur tensionet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në një studim të Qendrës së Kosoëvs për Studime të sigurisë të kryer me shqiptarë dhe serb të Kosovës thuhet se kërcënimet kryesore për paqen dhe sigurinë janë papunësia si dhe gjendja e marrëdhënieve ndëretnike.

“Mungesa e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë shihet si kërcënim serioz nga 21 për qind e shqiptarëve në krahasim me 6 për qind të të anketuarve serb që e ndajnë këtë mendim. Në anën tjetër marrëdhëniet ndëretnike edhe këtu shihen si problematike dhe kërcënim nga 19 për qind e qytetarëve serb ndërsa vetëm 4 për qind e qytetarëve shqiptar shihen si kërcënim marrëdhëniet ndëretnike”, tha Shpat Balaj hulumtues i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë.