Udhëheqësit institucioneve të Kosovës nënshkruan të mërkurën kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e cila të enjten do t’i dorëzohet zyrtarisht Çekisë si kryesuese radhës e bllokut 27 anëtarësh.
Paraqitja e kërkesës është hapi i parë i një procesi të gjatë i cili varet po ashtu nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nga sot e tutje 14 dhjetori merr një tjetër peshë si datë historike, ndërsa nënvizoi vendosmërinë e institucioneve për të përmbyllur me sukses këtë proces.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE-ja ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet”, tha ajo.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i bëri thirrje bllokut që të përgjigjet pozitivisht ndaj kërkesës së Kosovës, duke theksuar se një përgjigje e tillë do të inkurajonte reformimin e mëtutjeshëm të vendit.
“Marrja e statusit kandidat ka peshë të madhe dhe me të drejtë konsiderohet si vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane. Për këtë arsye e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që të tregojnë përkushtimin e tyre ndaj Kosovës por edhe gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës”, tha zoti Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kërkesa për anëtarësim në Bashkimin Evropian synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin e shoqërinë.
“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe zhvillojnë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit i domosdoshëm”, tha kryeministri Kurti.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon në proceset integruese dhe vendi i vetëm qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e bllokut. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë shënuar më shumë përparim në negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria sivjet nisën procesin e bisedimeve. Këtë javë Bosnja e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat.
Një nga kushtet kryesore për integrimin e Kosovës saj është arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë, e cila e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës, të cilën e njohin vendet kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht edhe për integrimin e Serbisë e cila hapi në vitin 2014 negociatat për anëtarësim.
Bashkimi Evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është vënë në përpjekje për të siguruar një marrëveshje dhe shpreson që kjo të ndodhë gjatë vitit që po vjen. Një propozim evropian parasheh normalizimin e marrëdhënieve por që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Kjo shihet si një mundësi që Kosova të tejkalojë një nga pengesat e mëdha në proceset integruese që është mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të BE-së: Spanja, Grqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Përpjekjet po bëhen ndërsa tensionet janë të larta ndërmjet dy vendeve rreth zhvillimeve në veriun e Kosovës ku për të pestën ditë me radhë grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, shpërndau të mërkurën një mesazh në rrjetet sociale duke theksuar se “në dritën e dorëzimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE pyetja ime për diplomatët perëndimorë është se a do t’i respektojnë dokumentet që i kanë miratuar vet”.
Presidenti serb i cili takohet sot më të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atë evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha se dëshiron të dijë se cili nga këto dokumente është i vlefshëm: “Marrëveshja e Kumanovës, Karta e OKB-së, Rezoluta 1244, Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit. Kemi arritur në dokumentin e gjashtë - shumë të rëndësishëm të BE-së nga viti 2003 - dokumentin e famshëm të Selanikut, për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor”, tha presidenti Vuçiç, sipas të cili në atë dokument përmendet respektimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.