Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën në mbrëmje se blloku është shprehur i gatshëm të shtojë praninë e forcave të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, nëse është e nevojshme, ndërsa e cilësoi të papranueshme situatën ne veriun e Kosovës.
Në një konferencë me gazetarë pas takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së ai tha se incidentet fundit janë me pasoja për qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve, që përshkallëzuan ditët e fundit, dhe kanë nxitur incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk janë diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk e pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane. Kjo situatë duhet të përfundojë. Bllokadat duhet të largohen. Qetësia duhet të rivendoset”, tha zoti Borrell, duke theksuar se blloku u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi dhe përmbajtje nga veprimet e dhunshme e provokuese.
Lexoni edhe këtë Rrugët në veriun e Kosovës mbeten të bllokuara – raportohet për incidente pa dëme në njerëz“U kërkova shteteve anëtare të jenë të gatshëm të dërgojnë përforcime shtesë për misionin tonë të EULEX-it”, tha zoti Borrel duke theksuar se shumë prej tyre janë pajtuar e janë shprehur të gatshëm për ta bërë këtë nëse është e nevojshme.
Zoti Borrel tha se si Kosova, ashtu edhe Serbia kanë pohuar se janë të gatshme për shtendosjen e situatës duke u bërë thirrje që t’u kthehen bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
“Pas incidenteve gjatë verës, ne kemi bërë një propozim për udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës. E kemi përditësuar atë javët e fundit, pas marrëveshjes së fundit që e arritëm për targat, e që shpresonim se me të shmangëm tensionet. Ne e kemi ofruar atë propozim dhe duhet ta çojmë përpara urgjentisht”, tha ai duke theksuar se propozimi tani është 27 vendeve të BE-së.
Propozimi i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, parasheh një marrëveshje normalizimi që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Zoti Borrel tha se ndërkaq se për shkak të situatës së rrezikshme në terren i ka kërkuar të dërguarit të posaçëm evropian Miroslav Lajçak të udhëtojë në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të ulur tensionet.
Që nga e shtuna rrugët në veriun e Kosovës po mbahen të bllokuara nga protestuesit serb në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë, nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.
I arrestuari kishte dhënë dorëheqje si pjesë e largimeve të serbëve të veriut të Kosovës nga institucionet vendase muajin e kaluar, mes tensioneve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Të shtunën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në veri për në muajin prill të vitit të ardhshëm, për shkak të situatës së sigurisë në zonë.