Diplomatët evropianë kanë reaguar pas arrestimeve të kryera nga prokuroria belge për një rast të dyshuar korrupsioni në parlamentin evropian. Ministrja e jashtme gjermane tha se vetë besueshmëria e Evropës është në rrezik. Hetuesit belgë po shqyrtojnë pretendimet se Katari u kishte dhënë para dhe dhurata zyrtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me organizimin e Kupës së Botës në futboll. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, deputetja socialiste greke, Eva Kaili, besohet se është në mesin e të dyshuarve. Partia Socialiste greke Pasok ka njoftuar se e ka përjashtuar nga partia me të mësuar për dyshimet mbi zonjën Kaili.
Your browser doesn’t support HTML5
Prokurorët belgë kontrolluan 16 shtëpi dhe sekuestruan 600,000 euro në Bruksel javën e kaluar. Katër persona u arrestuan dhe u akuzuan për “pjesëmarrje në organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, njoftuan prokurorët e rastit. Ata thanë se kishin dyshuar prej muajsh se një shtet i Gjirit, që sipas raportimeve të medias bëhet fjalë për Katarin, po përpiqej të blinte ndikim në Bruksel.
Arrestimet dhe dyshimet e ngritura kanë nxitur reagime të diplomatëve evropianë.
“Ky është një incident i pabesueshëm që duhet të sqarohet plotësisht me forcën e plotë të ligjit. Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Evropës”, tha ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
“Kjo është një çështje serioze, nuk do ta komentoj, por padyshim që duam të sqarohet gjithçka mbi rastin që duket të jetë shumë i rëndë”, tha kryediplomatja franceze, Cathrin Colonna.
Megjithëse zyrtarisht nuk është konfirmuar, në mesin e të dyshuarve është një nga nënkryetaret e Parlamentit Evropian, socialistja greke, Eva Kaili.
“Sigurisht që lajmi është shumë shqetësues. Ka veprime policore dhe gjyqësore që janë kryer dhe ne duhet të ndjekim këto veprime, jo vetëm me fakte, por edhe me prova të vërtetuara. Nuk mund të shkoj përtej deklaratave të gjyqësorit. Jam i sigurt që e kuptoni se këto janë akuza shumë të rënda”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell.
Dyshimet lidhen me përpjekjet e suksesshme të Katarit për të fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në futboll dhe zvogëlimin e kritikave për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kushtet e rënda të punës së emigrantëve në ndërtimin e infrastrukturës për Kupën e Botës.
Më 21 nëntor, Parlamenti Evropian debatoi rreth situatës së të drejtave të njeriut në Katar para fillimit të Kupës së Botës.
Gjatë debatit, zonja Kaili mbrojti Katarin për reformat lidhur me të drejtat e punëtorëve.
“Sot Kupa e Botës në Katar është një dëshmi se si diplomacia sportive mund të arrijë një transformim historik të vendit me reformat që frymëzuan botën arabe. Katari është një pararendës në të drejtat e punës, duke ndërmarrë veprime që edhe kompanitë evropiane nuk po i bëjnë. Disa këtu ende po bëjnë thirrje për t'i diskriminuar, na frikësojnë dhe na akuzojnë të gjithë ne që flasin me ta se gjoja angazhohemi në korrupsion”, tha më 21 nëntor eurodeputetja socialiste greke, Eva Kaili.
Më tu publikuar lajmi për dyshimet mbi të, Parlamenti Evropian e ka pezulluar zonjën Kailin nga detyra ndërsa Partia Socialiste greke PASOK tha se po e përjashtonte atë nga radhët e saj.
“Rasti i korrupsionit për të cilin po hetohet zonja Kaili u bë e ditur të premten. Ne morëm një vendim të menjëhershëm për ta pezulluar atë. U kujtoj kundërshtarëve tanë politikë se kur ajo bëri deklaratat e saj fyese për punën dhe të drejtat e njeriut në Katar në parlamentin e BE-së, unë menjëherë i dënova qëndrimet e saj në një intervistë televizive”, tha kreu i partisë socialiste greke, Pasok-Lëvizja për Ndryshim, Nikos Androulakis.
Një zyrtar i Katarit i ka mohuar akuzat se vendi i tij është përpjekur të blejë ndikimin në Bruksel.