Edhe pse qeveria hoqi kufizimin e çmimeve të karburanteve, hungarezët ende vazhdojnë të përballen me mungesa të shumta dhe çmime të larta. Mungesat e theksuara të furnizimeve me karburant kanë bërë që shumë hungarezë të shkojnë në vendet fqinje për t’u furnizuar me naftë apo benzinë.
Hungarezët po paguajnë më shumë për të furnizuar makinat me karburant ndërsa qeveria hoqi kufizimin e çmimit, që ishte të vënë më shumë se një vit më parë për të mbrojtur drejtuesit e makinave nga inflacioni i lartë.
Kjo politikë shkaktoi kaos mes furnizimeve të pakta, ndërsa drejtuesit e makinave shkojnë në vendet fqinje për t’u furnizuar me karburant.
Që kur Hungaria vuri rregulla për furnizimet me karburant, ci cili zotëron një dyqan, shkon në Sllovaki për të furnizuar makinën.
Çmimet e naftës apo benzinës në Sllovaki nuk janë më të ulta se në Hungari, por në atë vend nuk ka mungesa apo kufizime në sasinë e blerjes.
“Një herë në javë mbush makinën këtu. Marr 30 apo 35 litra karburant pa probleme. Kufiri i çmimit të karburantit ishte i dëmshëm për Hungarinë dhe tani po i shohim rezultatet”, thotë zoti Lajos.
Kur u prezantua çmimi tavan për karburante, qeveria hungareze tha se masa ishte e nevojshme për të ndihmuar konsumatorët përballë shkallës më të lartë të inflacionit në vend, aktualisht 22.5%. Qeveria gjithashtu vuri kufizime çmimesh për ushqimet thelbësore.
Por rritja e kërkesës për karburant e kombinuar me pakësimin e furnizimeve ndërkombëtare, çuan në mungesa karburanti në mbarë vendin, çka e detyroi qeverinë të martën që të heqë kufizimin e çmimit.
“Do të kishim qenë më mirë pa kufizimet e çmimeve për karburantin ose ushqimet. Jam pronar dyqani, çdo ditë humbas para në artikujt ushqimorë thelbësorë që janë poshtë çmimit tavan”, tha zoti Lajos.
Për më shumë se një vit, shoqata që përfaqëson stacionet e pavarura të karburanteve i ka kërkuar qeverisë të heqë kufirin e çmimit të karburantit, duke thënë se kjo politikë ka bërë që shumë anëtarë të saj të jenë në prag të falimentimit.
“Kufizimi i çmimit të karburantit nuk ishte ekonomikisht i qëndrueshëm. Debatuam vazhdimisht me qeverinë, për më shumë se një vit. Kontrolli i çmimeve nuk ishte vendim i shëndosh ekonomik, por vendim politik që mbajti popullin peng të vullnetit të qeverisë. Ne jemi viktima të kësaj politike të dështuar”, tha Lazlo Gepsz, president i Shoqatës së Stacioneve të Pavarura të Karburantit.
Ndërsa qeveria ka hequr kufizimin e çmimit të karburanteve, kostoja e naftës dhe benzinës është rritur me një të katërtën. Vendimi është mirëpritur nga shumë pika karburanti, por për të tjerë është shumë vonë.
Përgjatë autostradës që lidh Hungarinë me Sllovakinë shumë stacione nuk kanë karburant. Sipas shoqatës së pavarur hungareze të karburantit, e vetmja gjë që duket se ka ndryshuar është çmimi që paguajnë shoferët për të furnizuar makinat, nëse gjejnë karburant.