Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) raportuan të dielën për incidente në veriun e vendit ku rrugët kryesore po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.
EULEX-i tha se "një bombe tronditëse u hodh kundër një patrulle të këtij misioni” por pa dëme në njerëz.
“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë ato kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, në të cilin nënvizohet gatishmëria për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“U bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Sulmi u dënua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara i bashkohen EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari para sistemit të drejtësisë në Kosovë”, shkroi ambasadori Hovenier.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, shkroi se “Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it në Kosovë apo përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të bashkërendohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”, shkroi ai duke bërë thirrje për shmangie të përshkallëzimit të situatës.
Sulmi u dënua edhe nga NATO-ja. Në një postim në Twitter zëdhënësja e Aleancës, Oana Lungesku tha se “sulmet e tilla janë të papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të japin llogari”.
Ajo nënvizoi se KFOR-i mbetet jashtëzakonisht syçelë dhe plotësisht i gatshëm të përmbushë mandatin e dhënë nga OKB-ja, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin veprimet provokuese dhe retorikën dhe të ndihmojnë mbajtjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë.
Sulmi u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë në Prishtinë, ndërsa dënimit iu bashkua edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”, shkroi kryeministri Rama.
Policia e Kosovës raportoi për disa sulme ndaj pjesëtarëve të saj gjatë së shtunës por pa dëme në njerëz.
Grupe serbësh bllokuan rrugët pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje forcave të KFOR-it që të garantojë lirinë e lëvizjes.
“Bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes nga bandat kriminale që qëllojnë mbi policinë tonë e mbi policinë e EULEX-it jo vetëm që është e papranueshëm por duhet të jetë edhe i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje le të quhet zbutje por për të mirën e përgjithshme besoj që megjithatë jemi duke zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, tha kryeministri Kurti.
Beogradi ndërkaq akuzon Prishtinën për situatën në veriun e Kosovës. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç shkroi sot në rrjete sociale se “nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim, ky është vendimi i Serbisë dhe mesazhi im për popullin tonë në Kosovë, i cili edhe një herë është i detyruar të mbrojë vatrat e tyre në barrikada”, shkroi ai duke bërë thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si mënyre e vetme për fillimin e normalizimit të marrëdhënieve.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli të shtunën shtyrjen e zgjedhjeve për në muajin prill të vitit të ardhshëm për shkak të situatës së sigurisë në veri.
Lexoni edhe këtë Zgjedhjet komunale në veriun e Kosovës më 23 prill të vitit të ardhshëmZgjedhjet u shpallën pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të muajit nëntor duke kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Policët, prokurorët e gjykatësit serbë gjithashtu braktisën vendet e punës.
Kryeministri Kurti tha të dielën se autoritetet në Kosovë po punojnë që të mundësohet vendosja e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Tash nuk është në tryezë as çështja e targave ilegale, nuk është tryezë as çështja e zgjedhjeve për kryebashkiak në katër komunat veri të Kosovës andaj duke qenë se kanë ngelur pa pretekste janë të gatshëm që të shpikin gjithçka vetëm e vetëm që të zbatojnë planin e tyre për barrikadim të veriut”, tha kryeministri Kurti.
Beogradi tha se do të kërkojë nga NATO-ja kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor serbë në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndonëse pranoi që nuk beson se kjo kërkesë mund të plotësohet.
Lexoni edhe këtë Vuçiç: Do t’i kërkojmë KFOR-it kthimin e forcave serbe në KosovëNuk pati një reagim të forcave paqeruajtëse rreth kërkesës serbe, të cilën ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e cilësoi plotësisht të papranueshme.
Në një postim në rrjetet sociale ajo tha se “Kosova uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia bëri të kundërtën. Sugjerimi për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht i papranueshëm. Të tillë janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it”.
“Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke nënvizuar ndërkaq se “çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe SHBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.
Me këtë kërkesë, tha ai, Serbia dëshiron kthim në kohë të luftës kur ka kryer masakra dhe gjenocid në Kosovë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve serb që të distancohen nga siç tha grupet kriminale dhe nga regjimi i Vuçiçit i cili po kërkon luftë.