Pentagoni: Rusia dhe Kina po zgjerojnë arsenalin bërthamor

Rusia dhe Kina po modernizojnë dhe zgjerojnë arsenalet e tyre të armëve bërthamore, paralajmëroi të premten Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, ndërsa janë shtuar tensionet me Moskën lidhur me agresionin e saj në Ukrainë dhe me Pekinin në lidhje me qëndrimin ndaj Tajvanit.

Duke folur në selinë e Komandës Strategjike të SHBA-ve, përgjegjëse për arsenalin e armëve bërthamore, zoti Austin tha se Shtetet e Bashkuara janë në prag të një faze të re, ku dy fuqitë e mëdha bërthamore janë konkurrente strategjike.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes e kritikoi presidentin rus Vladimir Putin për atë që ai e quajti si, “llomotitje tërësisht të papërgjegjshme për përdorim të armëve bërthamore” që nga ndërhyrja në Ukrainë në muajin shkurt.

“Fuqitë bërthamore kanë një përgjegjësi të thellë për të shmangur sjelljet provokuese dhe për të ulur rrezikun e përhapjes, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin dhe luftën bërthamore”, tha ai.

Udhëheqësi rus, Vladimir Putin, tha të enjten se “kërcënimi i luftës bërthamore po shtohet”. Ai gjithashtu sugjeroi se nëse Rusia përjashton përdorimin e armëve bërthamore e para, ajo do ta lërë veten të pambrojtur ndaj një sulmi bërthamor.

“Përsa i përket faktit se në asnjë rrethanë Rusia nuk do të godasë e para, nëse nuk godet e para në asnjë rrethanë, atëherë nuk do të qëllojë as e dyta, sepse mundësitë për ta bërë këtë në rast të një sulmi bërthamor në territorin tonë janë shumë të kufizuara”, tha ai.

Duke reaguar ndaj citimeve të Presidentit Putin, një përfaqësues i Komandës Strategjike tha se: “Rreziqet janë shumë të larta për të mos i marrë seriozisht”.

“Ata nuk do ta përjashtojnë mundësinë që të godasin të parët”, tha zyrtari i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti. Rusia ka rezervat më të madha në botë të mbushjeve bërthamore, e pasuar nga SHBA-ja, e cila vlerësohet se ka rreth 3,800 mbushje bërthamore në gjendje aktive.

Bisedimet e traktatit të ri START midis SHBA-së dhe Rusisë që synojnë pakësimin e arsenaleve bërthamore kanë ngecur që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt.

Muajin e kaluar, një raport i Pentagonit paralajmëronte se Kina aktualisht ka më shumë se 400 mbushje bërthamore, që do të thotë se Pekini pothuajse ka dyfishuar arsenalin bërthamor në vetëm dy vjet.

Sipas këtij ritmi, Kina mund të shtojë rezervat e mbushjeve bërthamore në rreth 1500 deri në vitin 2035, thuhet në raportin “Fuqia Ushtarake e Kinës” që Pentagoni përgatit çdo vit për Kongresin.