Miftaraj: Kosovë, mungojnë rezultatet në luftën kundër korrupsionit

Your browser doesn’t support HTML5

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi thotë se në Kosovë, pavarësisht investimit tejet të madh ndërkombëtar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, nuk po shihen rezultate konkrete në këtë drejtim. Ai shton se qeveria Kurti ka thënë shumë, por nuk ka ndërmarrë veprime konkrete. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë zoti Miftaraj ia faturon sistemit gjyqësor. Ai thotë se fatkeqësisht sot nuk ka qofte dhe një rast të vetëm që dikush të jetë gjykuar dhe dënuar për korrupsion me akt të formës së prerë, apo një politikan duke vuajtur dënimin. Gjatë një bisede me gazetarin e Zërit të Amerikës Artan Haraqija, zoti Miftaraj thotë gjithashtu se qeveria Kurti po i bën dëm Kosovës me moszbatimin e vendimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë për pronat e Manastirit të Deçanit.

Zëri i Amerikës: Zoti Miftaraj, ju ndodheni në Uashington për të marrë pjesë në një nga konferencat më të mëdha në botë kundër korrupsionit, një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova dhe vendet e rajonit. Çfarë vlerësimi do i bënit situatës në Kosovë kur është fjala për korrupsionin?

Ehat Miftaraj: Në radhë të parë dua të falenderojë qeverinë amerikane që i ka dhënë mundësi aktivistëve të shoqërisë civile, medias dhe veprimtarëve tjerë që të marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër korrupsionit që organizohet nga Transparency International dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku kemi mundësi të marrim përvojat më të mira të shteteve demokratike të botës se cilat janë mënyrat që e parandalojnë apo e luftojnë korrupsionin. Kosova, duke qenë një vend ku është investuar shumë nga qeveria amerikane por edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, mund të themi që edhe sot në vitin 2022 nuk është se po shohim rezultate konkrete në luftimin e të njëjtit. Është e vërtetë që në dy, tri vitet e fundit, duke u mbështetur në atë që ne e monitorojmë kemi me shumë më pak korrupsion se sa në qeverisjet e fundit. Por, kur vjen puna tek luftimi i saj po shohim se ka ankesa të shumta, qoftë nga ana e prokurorisë apo edhe e gjykatave. Në Kosovë ka mbaruar java kundër korrupsionit që është organizuar nga gjashtë organizata jo-qeveritare ku hyn edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe ajo që kemi raportuar dhe çfarë kemi parë është se fatkeqësisht ende nuk kemi një rast të vetëm ku dikush është gjykuar dhe dënuar me akt të formës së prerë, ku një politikan për shkak të korrupsionit të nivelit të lartë sot është duke vuajtur dënimin.

Zëri i Amerikës: Gjatë fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë, një nga zotimet kryesore të partisë në pushtet ishte lufta kundër korrupsionit. Ju thoni se deri më tash nuk ka ofruar asnjë rezultat të vërejtshëm kundër korrupsionit?

Ehat Miftaraj: Në Kosovë pushtetet janë të ndara. Qeveria dhe pushteti mund përmes politikave dhe strategjive të promovojë luftimin kundër korrupsionit, por që në praktikë është sistemi gjyqësor, sistemi prokurorial si mekanizma të pavarur të cilat duhet të dëshmojnë se kanë vullnet, integret dhe kanë profesionalizëm për ta bërë këtë. E përsëris, duke u mbështetur në vëzhgimin tonë ende nuk po shohim që kjo po përkthehet në aktgjykime dënuese, në futjen në burg të atyre që kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, partia në pushtet fatkeqësisht është duke investuar jashtëzakonisht më shumë në retorikë se sa në veprime konkrete për të luftuar korrupsionin apo për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë. Projeket si vetingu, reformat në sistemin prokurorial apo reformat e tjera fatkeqësisht për shkak të luftërave me Këshillin Gjyqësor apo Këshillin Prokurorial të Kosovës apo edhe për shkak të mungesës së konsensusit me partitë politike opozitare nuk po shohim ndonjë progres të madh. Por, më në fund, në Kuvend u miratua grupi Ad-Hoc për reformën e vetingut ku të gjitha partitë opozitare, në njëfarë mënyre, e kanë mbështetur qeverinë dhe presim që kjo qeveri e cila është pothuajse dy vjet në pushtet, të ofrojë rezultate konkrete që kjo reformë të kalojë në një stad tjetër që është amandamenti kushtetues dhe pastaj pas miratimit apo pas marrjes së pëlqimit nga Gjykata Kushtetuese të vazhdohet me ligjin për veting.

Zëri i Amerikës: Zoti Miftaraj, kur është fjala për sundimin e ligjit, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime të cilat janë me rëndësi për bashkësinë ndërkombëtare, janë në fakt dy prej kërkesave kryesore të Bashkësisë Ndërkombëtare për Kosovën. Fjala është për pronat e manastirit të Deçanit dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si e shihni situatën në lidhje me këtë çështje?

Ehat Miftaraj: Republika e Kosovës si shtet i ri që kërkon njohje të reja dhe mbështetje ndërkombëtare është e obliguar që zotimet ndërkombëtare të cilat i ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë t’i zbatojë në praktikë ku padyshim hyn Asociacioni dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me pronat e Manastirit të Deçanit. Një shtet që aspiron qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit duhet t’i zbatojë vendimet gjyqësore. Nuk ka vend për retorikë, nuk ka vend për debat politik për vendime gjyqësore, ato vetëm duhet të zbatohen. Mu në këtë drejtim edhe kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që këto vendimet të zbatohen që qeveria t’i hap rrugë sundimit të ligjit apo të përmbushë obligimet që i ka marrë para partnerëve ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Kosovës momentalisht është në konflikt me Këshillin Gjyqësor të Kosovës pas vendimit për zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar shumë ashpër duke pezulluar realisht të gjitha kontaktet me qeverinë. Çfarë qëndrimi keni për këtë çështje?

Ehat Miftaraj: Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar publikisht lidhur me vendimin kundër kushtetues, kundër ligjor të qeverisë për të zbritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë.Në bazë të Kushtetutës tonë, në bazë të standardeve ndërkombëtare që aplikohen në Kosovë zbritja e pagave për prokurorë dhe gjyqtarë në Kosovë mund të bëhet vetëm në gjendje të jashtëzakonshme dhe vetëm në rast se ka vendime disiplinore të shqiptuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në anën tjetër tek kjo qeveri po shohim se janë disa kontradikta. Është e vërtetë që kjo qeveri është shumë më pak e angazhuar në afera korruptive, por në të njëjtën kohë mund të themi që kjo qeveri ka thyer të gjitha rekordet në cenimin e pavarësisë të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial me miratimin e ligjeve që janë në kundërshtim me Kushtetutën, me miratimin e vendimeve që janë në kundërshtim me Kushtetutë dhe ligj. Andaj unë besoj që kryeministri Kurti dhe kjo qeveri do të duhej që të ndalojë një praktikë të tillë dhe gjatë miratimit të politikave, gjatë miratimit të vendmeve të ketë më shumë respekt për procedurat, për ligjin, për Kushtetutën në mënyrë që thjeshtë të mos përballet pastaj me Gjykatën Kushtetuese apo me vendimet të cilat më pas po i kontestohen apo edhe po i hidhen poshtë në praktikë.

Zëri i Amerikës: Në të njejtën kohë ka pasur edhe jo pak ankesa ndaj gjyqësorit, sidomos për grumbullimin e dosjeve që nuk janë trajtuar nga Gjykatat e Kosovës...edhe kryeministri Albin Kurti ka pasur kritika në këtë drejtim. Besoni që akuzat janë të drejta dhe pse ndodh një grumbullim i dosjeve?

Ehat Miftaraj: Ne e kemi thënë disa herë, është mëse e drejtë që kemi një sistem gjyqësor dhe prokurorial shumë të ngadalshëm, dmth jo efikas, jo profesional me mungesë të thellë të integritetit. Por, pastaj duhet ta kuptojë edhe politika që duke u mbështetur në Kushtetutën që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2008, politikanët nuk kanë të drejtë të gjykojnë gjyqtarët, prokurorët publikisht. Thjeshtë kjo është e ndaluar me Kushtetutën e Kosovës e cila ka një ndarje të fortë të pushteteve në atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Për këtë në Kosovë kemi media, kemi shoqërinë civile të cilat i ekspozojnë qoftë aferat korruptive, qoftë pengesat apo problemet që i ka sistemi gjyqësor e prokuorial, por kjo nuk është detyrë e kryeministrit Kurti apo e qeverisë. Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk mund të sillen si një organizatë jo qeveritare sepse të njëjtët e kanë marrë mandatin nga populli me më shumë se 50% për të bërë ndryshime përmes politikave, përmes ligjeve e strategjive të tjera, por jo për të kritikuar sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial.

Zëri i Amerikës: Por, pse ndodh grumbullimi i dosjeve, është thjeshtë qështje e punës së gadaltë të gjykatësve?

Ehat Miftaraj: Qeveria e Kosovës e ka miratuar në vitin 2020 strategjinë për sundimin e ligjit 2021 – 2025 e cila i ka identifikuar gjitha problemet që i ka sot sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial. Aty përfshihen prej mungesës së efikasitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, mungesës së performancës apo performancës shumë të dobët, mungesë të guximit për t’i hetuar, ndjekur dhe gjykuar rastet e profilit të lartë, numrin e madh në qështjet e rasteve civile ku kemi afërsisht 160 mijë lëndë. Një qytetarë i Kosovës thuhet se për të trajtuar një lëndë i duhet prej 8 vjetë e më shumë të pres të marre epilogun e rastit të tij dhe qështje të tjera që dëshmojnë se kemi një sistem prokurorial dhe gjyqësor i cili keqmenaxhohet, keqadministrohet. Më pas është ndërtuar një kulturë e pandëshkueshmërisë ku ka raste që gjyqtarë apo prokurorë thejnë kodin e etikës ndërsa Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial janë solidarë dhe nuk i ndëshkojnë, por i amnistojnë nga veprimet qoftë të kundërligjshme apo që bien ndesh me kodin e etikës dhe sjelljes profesionale.