Me sytë në Katar, futbollistet në Spanjë shijojnë liritë

Kupa e Botës ka tërhequr vëmendjen tek të drejtat e grave në Katar. Ndërsa gratë në këtë vend gëzojnë më shumë të drejta krahasuar me shumicën e vendeve të Gjirit, futbolli i grave mbetet i pazhvilluar - diçka që ka tërhequr vëmendjen e sportisteve femra - duke përfshirë një grup lojtaresh në Spanjë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Alfonso Beato njofton nga Barcelona.

Your browser doesn’t support HTML5

Me sytë në Katar, futbollistet në Spanjë shijojnë liritë

FIFA pretendon të jetë një organizatë gjithëpërfshirëse, por gratë që mblidhen për të luajtur futboll në këtë fushë në Barcelonë shohin një kontradiktë.

Katari themeloi ekipin e tij të parë kombëtar të futbollit për femra në vitin 2010, por ai mbetet kryesisht në hije, pjesërisht për shkak të normave sociale, që i kufizojnë gratë të veshin pantallona të shkurtra në publik.

Këto gra kanë shkuar në Spanjë për t'i shpëtuar një sërë situatash të vështira. Loja është një rrugëdalje për to dhe një shans për të reflektuar në vende si Katari, ku liria për të luajtur nuk ekziston vërtet.

Doris la vendin e saj të lindjes, Hondurasin, për t'i shpëtuar dhunës në përshkallëzim atje. Ajo nuk pajtohet me vendimin për zhvillimin e Kupës së Botës në Katar.

“Një kampionat botëror i futbollit, duhet të zhvillohet në një vend ku luhet futboll dhe jo ku ky sport ka kufizime”.

Ardhja e talebanëve në Afganistan, luftërat në Ukrainë dhe Siri, trafikimi i grave afrikane, dhuna e bandave në Honduras, dhuna ndaj grave dhe urrejtja nga grupeve LGBT në vende të tjera, i sollën këto gra në Spanjë.

"Duam që shumica të largohet nga fusha me një buzëqeshje. E dimë se ky moment po ndikon vërtet pozitivisht tek to dhe ato gjithmonë duan të kthehen tek diçka që i bën të ndjehen mirë", thotë vullnetarja Daniella Robbins.

Svitlana Adamenko nga Ukraina ka ardhur kohët e fundit. Ajo u largua nga qyteti i saj Chuhuiv, ku ndodhet një bazë ajrore në rajonin e Kharkivit, që është shpesh objektiv i bombave ruse.

Svitlana shkoi në Barcelonë me vajzën e saj 12-vjeçare, ndërsa burri i saj qëndroi për të luftuar.

“Më 9 mars të këtij viti, unë dhe vajza ime vendosëm të largoheshim nga qyteti për shkak të agresionit rus”.

Svitlana po mëson spanjisht dhe futbolli e ndihmon atë të praktikojë gjuhën si dhe të takojë gra të tjera që përballen me realitete të vështira.

“Ndihesh mirë në unitet me të tjerët. Ne mund të lehtësojmë disi tensionin emocional për faktin se në vendin tonë po ndodhin veprime të tmerrshme”, thotë Svitlana.

FIFA thotë se futbolli i grave po siguron të ardhura në rritje në mbarë botën nga sponsorizimet dhe shitjet.

Për momentin, gratë nuk marrin pjesë në asnjë aspekt të kampionatit.

Për këto gra në Spanjë, shansi për të luajtur në tokë të lirë është një fitore e vogël, por e rëndësishme.