BE-Ballkan, nga Takimi i Tiranës thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit

  • Armand Mero

Udhëheqësit Bashkimit Evropian, u mblodhën sot në Tiranë së bashku me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një takim që u mbajt për herë të parë në një vend jo anëtar, duke dëshmuar mbështetjen e fort ndaj perspektivës evropiane të rajonit. Madje në deklaratën në fund të takimit u bë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin progresiv të tarifave roaming, ishte vetëm një hap konkret, ndërsa gjatë takimit të sotëm u ritheksua mbështetja e fortë financiare për përballimin e krizës energjitike në rajon, si dhe u diskutua mbi projekte konkrete që do të ofrojnë më shumë mundësi për të rinjtë e Ballkanit për të studiuar në universitetet evropiane

Asnjëherë më parë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian nuk ishin mbledhur jashtë kufijve të Unionit, siç ndodhi në takimin e sotëm në Tiranë, ku atyre ju bashkuan dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor.

Kryeministri Edi Rama përsëriti se e sheh këtë takim si “një moment historik dhe shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi të faktit që Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa ky rajon ka për BE-në”.

Por nëse fjalët e tij mund të tingëllonin subjektive, për faktin se Shqipëria ishte mikpritëse e takimit, me të njëjtat terma u shpreh dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, sipas të cilit “e ardhmja e fëmijëve tanë është me e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE”.

Your browser doesn’t support HTML5

BE-Ballkani Perëndimor, mbahet takimi i nivelit të lartë në Tiranë

Agresioni rus në Ukrainë duke se ka qenë një nxitës i rëndësishëm në një qasje shumë më dinamike të Brukselit ndaj rajonit të Ballkanit. Dhe vetë pika e parë e deklaratës së takimit të sotëm nënvizon se “përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”. Ndërsa mbajtja e takimit në Tiranë, duket një lëvizje e qartë e BE për të dëshmuar se ky rajon i përket Unionit.

Në këtë këndvështrim deklarata vë në dukje se BE-ja i nxit partnerët e Ballkanit Perëndimor “të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS) dhe të veprojnë në përputhje me të, duke përfshirë edhe me masat kufizuese të BE-së. Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të ndjekin shembullin e tyre”, vihet në dukje me një referencë të qartë kryesisht ndaj Serbisë e cila nuk i ka përkrahur sanksionet ndaj Rusisë.

Edhe vetë qasja deri diku e ndrojtur e Brukselit ndaj procesit të zgjerimit, me zvarritje të shumta, mund të marrë një kthesë tjetër, për sa kohë, në deklaratën përfundimtare bëhet thirrje për përshpejtim të tij, pa lënë megjithatë pas dore, plotësimin e kushteve të nevojshme. Dhe në fakt Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për “përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave”.

Por që procesi të ecë përpara, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin më parë mosmarrëveshjet e ndryshme mes tyre, ku çështje kyçe është normalizimi I marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. “Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thekson deklarata e Takimit të Tiranës.

Lexoni edhe këtë Lajçak: Po punojmë për një takim Kurti-Vuçiç brenda javësh

Ndjeshëm, krahasuar me të kaluarën jo të largët, BE-ja po angazhohet dhe me ndihmë dhe aksione konkrete ndaj vendeve të rajonit. Sot në Tiranë u nënshkrua marrëveshja që mundëson fillimin e reduktimit gradual, deri në shuarjen e plotë të tarifave roaming, brenda vitit 2027. Ndërkohë që u ripohua mbështetja për energjinë, nga njëra anë me një paketë 500 milionë eurosh si ndihmë buxhetore për qeveritë e rajonit, dhe një tjetër paketë 500 milionë euro të tjera, për financimin e projekteve konkrete. Ndërkohë që përmes Planit ekonomik të investimeve, po vijohet me financimin e projekteve të tjera zhvillimore. “Sapo është miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja me vlerë investimi prej 1.2 miliardë euro, për të financuar 12 projekte investimesh, ndërkohë që projektet e miratuara po hyjnë në fazën e zbatimit”, bëhet e ditur në tekstin e Deklaratës.

Lexoni edhe këtë Tiranë, takim njëditor i udhëheqësve evropianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, njoftuan se universitetet e rajonit do të përfshihen ne Aleancën e arsimit të lartë në Evropë, që do t’u mundësojë të rinjve të studiojnë dhe në universitetet evropiane. Zoti Rama bëri po ashtu të ditur se “diskutuam dhe morëm mbështetjen në parim, për të patur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Europës”, i cili ka qendrën në Bryzh të Belgjikës dhe një tjetër kampus në Varshavë të Polonisë.

Gjatë takimit janë diskutuar dhe sfidat e përbashkëta, si ajo e migracionit, ku shifrat përmes së ashtuquajturës rruga e Ballkanit kanë ardhur në rritje.

“Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Në dritën e trysninë së shtuar migratore në rajon, mbështetja e fortë financiare e BE-së përmes programeve të posaçme do t’u mundësojë partnerëve të forcojnë sistemet e azilit dhe të pritjes, të rritin mbrojtjen e kufirit, të luftojnë rrjetet e kontrabandës dhe grupet e krimit të organizuar dhe të shtojnë kthimet nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës. Në këtë perspektivë, BE-ja ka miratuar një program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale, me vlerë 30 milionë euro”, shpjegohet në Deklaratën e Takimit të Tiranës.