Rusia do t’i shesë karburant me çmime të ulura Pakistanit

  • Ayaz Gul

Pakistani njoftoi të hënën se Rusia ka vendosur të eksportojë karburant të papërpunuar, naftë dhe benzinë me çmime të ulura drejt këtij vendi të Azisë Jugore.

Zëvendësministri për Karburantet, Musadik Malik, i bëri të ditura detajet gjatë një konference për shtyp në Islamabad, pasi vizitoi Moskën javën e kaluar, ku u takua me homologët rusë.

“Një delegacion ndërqeveritar i udhëhequr nga ministri rus i energjitikës do të vizitojë Pakistanin muajin e ardhshëm dhe do të përcaktojmë detajet për të cilat ju informova, në mënyrë që të nënshkruajmë një marrëveshje për të blerë karburant të papërpunuar, naftë dhe benzinë me çmime të ulura”, tha zoti Malik.

Ai nuk bëri të ditura detaje të mëtejshme, si p.sh. për llojin e uljes në çmim që do të ofrojë Moska, apo se kur mund të fillojë Islamabadi të importojë produkte hidrokarbure nga Rusia.

“Ulja do të jetë njësoj si uljet që u ofrohen vendeve të tjera në botë”, tha zoti Malik.

Ai tha se bisedimet “kishin rezultuar më produktive se ç’pritej” dhe se u nxitën nga “interesi kombëtar” i Pakistanit, që e detyron qeverinë të mbushë boshllëkun e krijuar nga mungesa e furnizimit me energji, në të gjitha mënyrat e mundshme.

Zoti Malik tha se Pakistani është gjithashtu i interesuar për të blerë gazin e lëngshëm natyror (LNG), por se rezervat e kompanive shtetërore ruse janë të pakta në këtë moment.

“Rusia po ngre njësi të reja prodhimi dhe e ka ftuar Pakistanin të fillojë bisedime për kontrata afatgjata për blerjen e gazit të lëngshëm natyror”, tha ai. Zoti Malik shtoi se zyrtarët rusë gjithashtu mundësuan bisedime për delegacionin që ai kryesoi, me kompani private në Moskë që eksportojnë gaz të lëngshëm natyror.

Nuk pati menjëherë komente nga Moska për marrëveshje të mundshme energjie me Pakistanin.

Pakistanin ka hasur në vështirësi për sigurimin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror, ndërkohë që rezervat e tij natyrore janë zvogëluar me deri 10% në vit. Rezervat gjithashtu të paqëndrueshme në monedha të huaja e kanë kufizuar mundësinë e vendit për të blerë burime energjie nga jashtë.

Ndërkohë, zoti Malik tha se vendi fqinj, Irani, ka vendosur të dhurojë rreth 1 milion kilogramë gaz të lëngshëm karburanti, në formën e një “ndihme humanitare” për Pakistanin gjatë dimrit. “Do të mbërrijë në vend gjatë 10 ditëve të ardhshme”, tha ai.