Ukraina i kërkon BE-së të vendosë sanksione ndaj industrisë ruse të raketave

  • VOA

Kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba tha të enjten se i kishte bërë thirrje Bashkimit Evropian që të vendosë sanksione ndaj industrinsë ruse të prodhimit të raketave.

Zoti Kuleba shkruante në rrjetin Twitter se prodhimi i raketave ruse “duhet të ndalet”. Kryediplomati ukrainas tha se i kishte përcjellë mesazhin shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell gjatë një takimi ndërsa e falenderoi bllokun për ndihmën që i ka dhënë Ukrainës.

Rusia ka goditur me raketa qytetet dhe infrastrukturën ukrainase, siç janë pjesët e rrjetit elektrik të vendit. Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat ruse po bombardonin disa qytete në rajonin e Donetsk-ut të Ukrainës lindore, përfshirë rajonet Bakhmut, Soledar dhe Opytne. Forcat ukrainase të mbrojtjes njoftuan gjithashtu se Rusia po përdorte tanket dhe artilerinë kundër pozicioneve ukrainase në pjesën jugore të Khersonit.

Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se fushata disa ditore e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës nevralgjike të Ukrainës, rrjetit elektrik, ujësjellësit dhe ngrohjes, nuk do të zbehë vendosmërinë e Perëndimit për të mbështetur Kievin në luftën nëntëmujore kundër agresionit rus.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha për shtypin pas një takimi dy-ditor të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë, se presidenti rus Vladimir Putin e kishte përqendruar “zjarrin dhe zemërimin” e tij kundër popullatës civile ukrainase ndërsa afrojnë muajt e acrtë të dimrit.

“Ngrohja, uji, elektriciteti – këto janë objektivat e reja të Presidentit Putin. Ai po godet furishëm. Ky brutalizim i popullit të Ukrainës është barbar”, tha zoti Blinken.

Kryediplomati amerikan akuzoi Presidentin Putin se po përpiqej të përçante koalicionin perëndimor që mbështet Ukrainën, ndërsa çmimet botërore të energjisë rriten, dhe ukrainasit përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

“Kjo strategji nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë”, tha zoti Blinken. “Ne do të vazhdojmë ta provojmë se ai e ka gabim. Kjo është ajo që kam dëgjuar qartë dhe me zë të lartë nga çdo vend këtu në Bukuresht.”

Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri thirrje për ngritjen e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimet ruse në Ukrainë. Zonja Von der Leyen propozoi një gjykatë të mbështetur nga Kombet e Bashkuara "për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e agresionit të Rusisë". Ajo tha gjithashtu se Rusia dhe oligarkët rusë duhet të paguajnë koston e rindërtimit të Ukrainës.

“Krimet e tmerrshme të Rusisë nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, tha zonja von der Leyen në Bukuresht, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s diskutuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

Për këtë material u përdorën informacione nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.