Studiuesit kanë arritur në përfundimin se një ilaç eksperimental për Alchaimerin ngadalësoi në mënyrë modeste përkeqësimin e pashmangshëm nga sëmundja që prek trurin. Prodhuesi japonez i barnave Eisai dhe partneri i tij amerikan Biogen kishin njoftuar më herët këtë vjeshtë se ilaçi lecanemab dukej se funksiononte për ngadalësimin. Tani shkencëtarët mund të kenë qasje tek studimi i plotë.
Pyetja që është se si mund të ndikojë ky zbulim në jetën e njerëzve.
Your browser doesn’t support HTML5
John Teeling u diagnostikua me Alchaimer para tetë vitesh. Ish-inxhinieri mekanik tani në pension, thotë se lajmi për sëmundjen ishte shkatërrues.
"Ishte sikur u hap toka para meje dhe pastaj pyeta veten: Po tani? Sepse mendja të shkon menjëherë tek skenari më i keq, nuk mendon asgjë tjetër. Kur sheh njerëz me Alcaimer, që nuk ngrihen dot, ndoshta duke iu dridhur buzët, ata janë në fazat e fundit," thotë ai.
Studimi i ri është një sukses shumë i nevojshëm për pacientë si Teeling dhe për shkencëtarët, pas zhgënjimeve të përsëritura në kërkimin për trajtime më të mira të Alcaimerit.
Studimi u krye me 1800 pacientë në fazat më të hershme të sëmundjes.
Çdo dy javë për 18 muaj, pjesëmarrësit e studimit morën ilaçin lecanemab intravenoz ose një infuzion pa ilaç.
Përparimi i sëmundjes tek ata që morën lecanemab ishte më i ngadaltë, sipas studimit nga ekipi hulumtues i udhëhequr nga Dr. Christopher van Dyck i Universitetit Yale.
Po ashtu ata që morën lecanemab kishin 31% më pak gjasa që faza tjetër e sëmundjes të përparonte, tregon faza tjetër e studimit.
Në fillim të viteve '90, John Hardy, sot profesor i neuroshkencës në Institutin e Neurologjisë në Universitetin e Kolegjit të Londrës (UCL), ishte pjesë e një ekipi që gjeti për herë të parë mutacionin e amiloidit, në sëmundjen e Alchaimerit.
Ata hodhën hipotezën se nëse mund të hiqnin amiloidin nga truri, një proteinë e dëmshme, mund të kishte një efekt klinik të dobishëm. Prof. Hardy thotë se studimi "po e kthen kurbën" në trajtimin e Alchaimerit.
"Nëse do të më pyesnit 30 vjet më parë se sa kohë do të zgjaste gjetja e një kure, do të thosha 5 deri në 10 vjet. Pra, për mua, është padyshim i rëndësishëm. Mendoj se për pacientët është një hap i vërtetë përpara." thotë prof. Hardy.
Ai nuk ishte i përfshirë në studim, por ka bashkëpunuar me prodhuesin e ilaçit, Eisai.
"Amiloidi e nxit sëmundjen, udhëheq të gjitha diagnozat e tjera. Pra, është si të heqësh këmbën nga pedali i gazit, në thelb. Kështu, amiloidi goditet, këmba hiqet nga pedali i gazit dhe gradualisht ngadalësohet rënia", thotë ai.
Por mjekët janë të ndarë rreth faktit se sa ndryshim mund të sjellin këto ngadalësime për pacientët dhe familjet e tyre
Ilaçet që vënë në shënjestër amiloidin mund të shkaktojnë efekte anësore që përfshijnë enjtje dhe gjakderdhje në tru, dhe lecanemab shkaktoi këto pasoja tek rreth 13% e atyre që morën ilaçin në eksperiment. Firma Eisai tha se shumica ishin efekte të lehta ose asimptomatike.
Po ashtu dy vdekje janë raportuar publikisht mes përdoruesve të lecanemabit, të cilët merrnin gjithashtu ilaçe për hollimin e gjakut për probleme të tjera shëndetësore. Firma Eisai tha se vdekjet nuk mund t'i atribuohen ilaçit në fjalë.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara po shqyrton miratimin e përshpejtuar të lecanemabit dhe një vendim pritet në fillim të janarit. Nëse miratohet, ai do të ishte ilaçi i dytë anti-amiloid në treg.
Pothuajse të gjitha trajtimet për Alcaimerin, i lehtësojnë vetëm përkohësisht simptomat.
Të dhënat u prezantuan në një takim tnë San Françisko dhe u botuan në Revistën New England për Mjekësinë.
Lajmet për ilaçin janë shpresëdhënëse për pacientët si Teeling, i cili e përshkruan sëmundjen si një "vdekje të gjatë".
"Çdo përparim është i mirë. Çdo gjë që e ngadalëson ose më jep shpresë," thotë ai.