Gjykata e Lartë hap rrugën për dorëzimin e deklaratave tatimore të Trumpit në Kongres

MUSK-TWITTER-TRUMP

UASHINGTON (AP) - Gjykata e Lartë të martën hapi rrugën për dorëzimin e menjëhershëm të deklaratave tatimore të ish-presidentit Donald Trump tek një komision i Kongresit pas një beteje ligjore trevjeçare.


Gjykata, pa mosmarrëveshje të theksuara, hodhi poshtë kërkesën e zotit Trump për një urdhër që do të kishte penguar Departamentin e Thesarit të jepte deklaratat tatimore të ish presidentit dhe disa bizneseve të tij për gjashtë vjet, Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga demokratët.


I vetëm mes presidentëve të fundit, zoti Trump refuzoi të publikonte deklaratat e tij tatimore edhe gjatë fushatës së tij të suksesshme të vitit 2016,dhe as gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë, duke përmendur atë që ai tha se ishte një auditim i vazhdueshëm nga IRS (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme). Javën e kaluar, zoti Trump njoftoi se do të kandidojë sërish në vitin 2024.


Kjo ishte humbja e dytë e ish-presidentit në Gjykatën e Lartë në po aq muaj, dhe e treta këtë vit. Në tetor, gjykata refuzoi të ndërhynte në luftën ligjore për çështjem e kontrollit të FBI-së në pronën e zotit Trump në Florida, ku u zbuluan dokumente sekrete.


Në janar, gjykata refuzoi të ndalonte Arkivin Kombëtar që t'i dorëzonte dokumentet komsionit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte sulmin e 6 janarit në Kapitol. Gjyqtari Clarence Thomas ishte vota e vetme në favor të zotit Trump.


Në mosmarrëveshjen mbi deklaratat e tij tatimore, Departamenti i Thesarit kishte refuzuar të jepte të dhënat gjatë presidencës së zotit Trump. Por administrata Biden tha se ligji federal është i qartë në përcaktimin se komisioni ka të drejtë të shqyrtojë çdo kthim të tatimpaguesve, përfshirë ato të presidentit.


Gjykatat më të ulëta ranë dakord që komisioni ka autoritet të gjerë për të marrë deklaratat e taksave dhe hodhën poshtë pretendimet e zotit Trump se ishte tejkalim kompetencash dhe kërkonin vetëm që dokumentet e tij të bëheshin publike.

Kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts vendosi një ngrirje të përkohshme të çështjes më 1 nëntor për të lejuar gjykatën të peshojë çështjet ligjore të ngritura nga avokatët e zotit Trump dhe kundërargumentet e administratës dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Pak më shumë se tre javë më vonë, gjykata hoqi urdhrin e zotit Roberts pa koment.
Ligjvënësi demokrat Richard Neal, kryetar i komisionit deri në fillimin e Kongresit të ardhshëm në janar, tha në një deklaratë se komisioni i tij "tani do të kryejë mbikëqyrjen që kemi kërkuar për tre vitet e gjysmë".


Fushata e zotit Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.


Dhoma e Përfaqësuesve pretendon se një urdhër që parandalon IRS-në të sigurojë deklaratat e taksave, do t'u linte ligjvënësve "pak ose aspak kohë për të përfunduar punën e tyre legjislative gjatë këtij Kongresi, të cilit po i afrohet shpejt fundi".

Nëse zoti Trump do të kishte bindur gjykatën më të lartë të vendit që të ndërhynte, afati i komisionit mund të kishte skaduar, me republikanët të gatshëm për të marrë kontrollin e Dhomës në janar. Ata pothuajse me siguri do të kishin hequr dorë nëse çështja nuk do të ishte zgjidhur deri atëherë.


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi fillimisht deklaratat tatimore të zotit Trump në vitin 2019, si pjesë e një hetimi mbi programin e auditimit të Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme dhe pajtueshmërinë me ligjin tatimor nga ish-presidenti.

Një ligj federal thotë se Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme "do të sigurojë" deklarimet e çdo tatimpaguesi për një numër të vogël ligjvënësish kryesorë.

Departamenti i Drejtësisë nën administratën Trump kishte mbrojtur një vendim të sekretarit të atëhershëm të Thesarit Steven Mnuchin për të mos ia dorëzuar Kongresit deklaratat tatimore të zotit Trump. Zoti Mnuchin argumentoi se ai mund të mbante dokumentet sepse arriti në përfundimin se ato po kërkoheshin nga demokratët për arsye partiake.


Pasi Presidenti Joe Biden mori detyrën, komisioni ripërtëriti kërkesën, duke kërkuar deklaratat tatimore të zotit Trump dhe informacione shtesë nga viti 2015-2020.

Shtëpia e Bardhë argumentoi se kërkesa ishte e vlefshme dhe se Departamenti i Thesarit nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pajtohej. zoti Trump më pas u përpoq të ndalonte dorëzimin e deklaratave në gjykatë.


Prokurori i atëhershëm i qarkut të Manhattanit, Cyrus Vance Jr., mori kopje të të dhënave tatimore personale dhe të biznesit të zotit Trump si pjesë e një hetimi penal. Edhe ai rast shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila hodhi poshtë argumentin e zotit Trump se ai kishte imunitet të gjerë si president.