Përmirësohet situata në zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Përmirësohet situata në zonat e përmbytura në Shkodër e Lezhë

Pas dy ditë reshjesh të shumta, të martën ra intensiteti i tyre duke ndikuar në fillimin e tërheqjes së ujrave nga zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë, si dhe rikthimin në banesat e tyre të disa familjeve, që u evakuan me nisjen e përmbytjeve.

Sipas të dhënave nga shtabi i emergjencave civile në bashkinë Shkodër, sipërfaqja e përmbytjes ka rënë në 1305 hektarë nga 2404 që ishte një ditë më parë. Ndërsa në Lezhë të martën u raportua për 800 hektarë tokë të përmbytura. Zonat më problematike vazhdojnë të mbeten fshatrat Kuç e Obot në Shkodër dhe zona e Zadrimës në Lezhë.

Your browser doesn’t support HTML5

Përmirësohet situata në zonat e përmbytura në Shkodër e Lezhë

Tërheqja e shpejtë e ujrave nga zonat e përmbytura lidhet me rënien e nivelit të Lumit Drin si dhe Liqenit të Shkodrës. Aktualisht, niveli i Drinit është një metër poshtë kuotës maksimale, ndërsa liqeni i Shkodrës më shumë se 1.7 metër poshtë nivelit maksimal.

“Kemi një tërheqje të ujit nga sipërfaqet e përmbytura, nga oborret e shtëpive. Sot kemi pak frymëmarrje. Në këto momente që flasim janë të gjitha rrugët e njësive administrative të hapura. Po ashtu edhe rruga nacionale ka 24 orë që është hapur. Sapo biseduam edhe me rezervat e shtetit për të bërë të mundur edhe përgatitjen e disa pakove ushqimore dhe mjeteve higjenike për t’i ardhur në ndihmë familjarëve”, thotë perfektja e Shkodrës Majlinda Angoni.

Megjithë përmirësimin e situatës së përmbytjes, në Shkodër vazhdojnë të qëndrojnë tek të afërmit apo në konviktet e qytetit 22 familje me 84 pjesëtarë, nga 32 familje me 139 pjesëtarë që u evakuan një ditë më parë. Në terren ndodhen 70 forca të ushtrisë me automjete dhe me varka, në mbështetje të banorëve të rrezikuar. Në këto zona, të martën shkuan edhe grupe të vullnetarëve të Kryqit të Kuq shqiptar.

“Kemi ndihmuar me disa pako ushqimore në Lezhë dhe në Shkodër, me një kontigjent kitesh higjenike dhe një sasi rrobash për familjet pasi, kur janë evakuar, kanë ikur me shpejtësi. Shpresojmë që situata do të jetë në përmirësim, por, në rast se do të jetë në përkeqësim, ne do të jemi pranë tyre, siç kemi qenë gjithmonë. Sepse, detyra jonë është që të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe për të lehtësuar sadopak dhimbjen e tyre”, thotë Fatos Xhengo nga Kryqi i Kuq shqiptar.

Për momentin, banorët e zonave të përmbytura kanë nevoja për ujë të pijshëm, pasi një pjesë e ujësjellësve kanë dalë jashtë funksionit, si dhe për ushqime dhe bazë ushqimore për bagëtitë.

Megjithë përmirësimin e shpejtë të situatës së përmbytjes, autoritetet paralajmërojnë së situata mund të përkeqësohet gjatë ditëve në vazhdim, pasi priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë zonën veriore të vendit.