Hekurudha e Ukrainës rol thelbësor në luftë

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, sistemi hekurudhor ka patur një rol kyç për transportin e qytetarëve, por edhe të udhëheqësve evropianë. Gjatë luftës, raketat ruse e bënë të vështirë dhe të rrezikshëm udhëtimin me avion drejt Ukrainës.

Your browser doesn’t support HTML5

Hekurudha e Ukrainës, rol thelbësor në luftë


Përdorimi i linjës hekurudhore, Hekurudhat e Ukrainës, është bërë mjeti kryesor për të udhëtuar. Alexander Kamyshin, kreu i Hekurudhave të Ukrainës, i tha Shërbimit Gjeorgjian të Zërit të Amerikës se kjo nuk do të ndryshojë.

"Rregulli jonë është se lufta nuk mund të jetë justifikim. Edhe gjatë luftës, ne luftojmë të zhvillohemi, luftojmë për të përmirësuar kompaninë dhe shërbimet tona."

Për shumë njerëz, lëvizja me tren ishte e vetmja mënyrë për të shkuar në vend të sigurtë kur filloi lufta. Miliona persona u larguan nga Ukraina për në Poloninë fqinje dhe vendet e tjera me tren.

"Që prej ditës së parë, ne filluam një program evakuimi dhe një program ndihme humanitare. Në ditën e 20 të luftës, nisëm sërish të mendojmë për ekonominë, për eksportin dhe lëvizjen e mallrave”.

Zoti Kamyshin tha se në kulmin e lëvizjes, trenat transportonin më shumë se 150,000 njerëz në ditë. Para luftës, ky numër ishte rreth 18,000.

Përveç përgjegjësive humanitare, hekurudha gjithashtu furnizon njësitë ushtarake ukrainase me atë që u nevojitet. Në territoret e pushtuara, Rusia mbështetet edhe tek hekurudha për logjistikën. Sfida tani është rikthimi i shërbimit në zonat që janë çliruar.

"Të gjitha shinat në ato zona janë të dëmtuara. Pra, ne duhet të bëjmë të pamundurën për të rivendosur lidhjen."

Kohët e fundit, Ukraina rifilloi linjën hekurudhore drejt qytetit të Kramatorsk, i cili mbetet nën kërcënimin e Rusisë.

Për shumë banorë, kthimi është i vështirë. Në prill, një sulm me raketa ruse në stacion vrau 60 persona, duke përfshirë 7 fëmijë.

"Është një ndjenjë e keqe. Gjëra të tmerrshme ndodhën këtu, kaq shumë pikëllim. Është e çuditshme të jesh këtu. Por megjithatë, ne jemi të lumtur. Arritja në Kiev është bërë shumë më e lehtë", thotë një pasagjere.

Linja hekurudhore është rivendosur gjithashtu në rajonin e Kharkivit.

"Dje, më telefonoi mbesa ime dhe tha se kishte parë biletat në internet dhe se shërbimi i trenit ishte rikthyer në Balaklia. Unë i thashë dakord, do të vij të të shoh. Dhe ja ku jam!", thotë një pasagjere.

Sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës i bëjnë gjërat edhe më të vështira për sistemin hekurudhor sepse gjysma e lokomotivave të Ukrainës punojnë me energji elektrike.

Kamyshin beson se Hekurudhat e Ukrainës do të gjejnë një zgjidhje sepse siç thotë ai, thjesht nuk kanë zgjidhje tjetër.