UNESCO-ja shënon këtë muaj 50-vjetorin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, dokumenti në themel të listës së Pasurive të Trashëgimisë Botërore. E ratifikuar nga 194 vende, lista përmban më shumë se 1100 objekte, nga Maçu Piçu në Peru deri në Akropoli i Athinës në Greqi.
Piramidat e Gizës, që kanë ekzistuar prej mijëra vjetësh, festuan këtë muaj 50 vjetorin e përfshirjes në listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore. Lazare Eloundou Assomo, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, shpjegon origjinën e listës së famshme:
"Më 16 nëntor 1972, u miratua ky dokument i rëndësishëm (Konventa për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore) – përmes së cilit parashtrohet nevoja për të krijuar një listë të objekteve që do të njiheshin si pasuritë më të rëndësishme të njerëzimit, duke lejuar komunitetin ndërkombëtar të veprojë shumë shpejt për t'i ruajtur ato përballë fatkeqësive (natyrore), përballë konflikteve, përballë problemeve të tjera të zhvillimit”, thotë ai.
Shumica e vendeve janë destinacione të njohura turistike. Disa vende kanë më shumë se 50 objekte, por të tjera - si 12 vende afrikane - nuk kanë asnjë. UNESCO-ja thotë se kontinenti afrikan përbën vetëm nëntë për qind të pasurive të Trashëgimisë Botërore.
"Nga një listë e Trashëgimisë Botërore prej 1,154 objektesh, pothuajse gjysma e këtyre vendeve ndodhen kryesisht në rajonin e Evropës dhe Amerikës së Veriut," thotë zoti Eloundou Assomo.
"Globalisht, një nga rajonet më pak të përfaqësuara në Listën e Trashëgimisë Botërore është Afrika Nënsahariane dhe më pas vendet Arabe. Pra, ka vërtet një çekuilibër në aspektin e statistikave në listë dhe kjo është një çështje për të cilën ne do të vazhdojë të punojmë së bashku me vendet anëtare", shton ai.
Konventa e Trashëgimisë Botërore parashikon ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve të saj, të cilat pasi bëhen pjesë e listës, kanë qasje në fondet e Trashëgimisë Botërore.
Përfshirja në listë zakonisht sjell përfitime në zonën ku ndodhet objekti me rritjen e turizmit, por ky përfitim mund të jetë një thikë me dy presa.
"Këto vende, që janë më të vizituarat, në pjesën më të madhe janë në rajone si Evropa, Amerika e Veriut. Shumë nga këto objekte vizitohen edhe në Azi, dhe ne e dimë që turizmi sjell shumë në zhvillimin e vendeve, si edhe krijon vende të reja pune dhe mirëqeniem. Por turizmi masiv mund të jetë edhe një faktor problematik për vendet e Trashëgimisë Botërore", thotë zoti Eloundou Assomo.
Në listë, 52 nga objektet aktualisht janë të kategorizuara si "të rrezikuara". Ndërsa UNESCO feston 50-vjetorin e konventës, organizata synon t'i qëndrojë besnike parimit të saj themelues.
"Është e rëndësishme që pasuritë e trashëgimisë botërore të mos humbasin vlerën e tyre dhe që ne të punojmë së bashku në mënyrë që ato të ruhen sot dhe t'u lihen brezave të ardhshëm që do të vazhdojnë t'i ruajnë ato," thotë drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s
UNESCO pritet të shpallë një plan veprimi për të ardhmen e Konventës së Trashëgimisë Botërore për ta bërë listën më përfaqësuese dhe për t'i zgjeruar qasjen në objekte si edhe për t’i bërë ato më të qëndrueshme.
UNESCO shënon 50 vjetorin e Konventës së Trashëgimisë Botërore
Your browser doesn’t support HTML5