Ukrainë, miliona banorë në errësirë për orë të tëra si pasojë e sulmeve ruse

People receive food donations from World Central Kitchen in Kherson, in southern Ukraine, on Nov. 17, 2022.

Operatori i rrjetit energjitik të Ukrainës ‘Ukrenergo’ paralajmëroi për ndërprerje me orë të tëra të energjisë elektrike gjatë ditës së premte, pasojë e sulmeve të reja ruse me artileri e raketa. Reth 40 për qind e popullatës së vendit është prekur nga ndërprerjet ndërsa afron sezoni i dimrit.

Krahas dëmtimeve nga sulmet ruse, rrjeti elektrik po përballet dhe një trysni shtesë të krijuar nga temperaturat gjithnjë e më të ftohta.

Shefi ekzekutiv i ‘Ukrenergo-s’ Volodymyr Kudrytskyi tha për televizionin shtetëror ukrainas, se furnizimi me energji elektrike i objekteve të rëndësishme, si spitalet dhe shkollat, është stabilizuar.

Ndërkohë në rajonin verilindor të Kharkivit, sulmet gjatë natës me artileri e raketa që kishin si objektiv infrastrukturën kritike, dëmtuan disa objekte energjitike, sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov. Si pasojë u plagosën tetë persona.

Sulmet ruse të javëve të fundit ndaj objekteve energjetike të Ukrainës kanë lënë me miliona vetë pa ngrohje e energji elektrike, duke nxitur shumë pasiguri mbi situatën që do të paraqitet gjatë periudhës së dimrit. Gjatë kësaj jave Rusia lëshoi një breshëri prej 100 raketash e dronësh në mbarë vendin, duke lënë pa energji 10 milionë njerëz.

Sulmet kanë pasur gjithashtu një efekt negativ në vendet fqinje si Moldavia, ku mbi 10 qytete u përballën me ndërprerje të përkohshme të energjisë.