Shqipëri, 11 urdhëra të rinj arresti për inceneratorin e Fierit

  • Armand Mero

Inceneratori i Fierit

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka lëshuar 11 urdhëra arresti në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Fierit. Bëhet fjalë për ish administratorë të kompanisë dhe drejtuesë shoqërish private që dyshohet të jenë përfshirë në manovra financiare fiktive me vlera disa milionë eurosh. Vetëm 5 prej tyre janë arrestuar ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim. Mes tyre dhe dy ish administratorë të inceneratorit të Tiranës, të dyshuar se janë përfshirë në pagesën fiktive të babait të ish deputetit socialist Alqi Bllako, që rezultonte të kishte vetëm emrin si i punësuar në këtë kompani.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, 11 urdhëra të rinj arresti për inceneratorin e Fierit

Listës së 14 urdhërave të arrestit të lëshuar për rastin e inceneratorit të Fierit në mars të këtij viti, ju shtuan sot dhe 11 emra të tjerë. Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme bëhet e ditur se këto urdhëra lidhen me elementë e rinj që janë zbuluar gjatë hetimeve dhe për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Në pranga ka përfunduar mbikqyrësi i punimeve Arben Dervishi, i cili dyshohet se ka miratuar kryerjen e punimeve që në të vërtetë nuk janë realizuar, duke i krijuar kështu mundësi kompanisë që të përfitojë të paktën 4 milionë euro. Prokuroria thotë se ai është shpërblyer nga aksioneri kryesor i shoqërisë koncensionare, Klodian Zoto, i cili rezulton t’i ketë paguar atij bileta avionësh, udhëtime private jashtë vendit, përfshirë qëndrime në hotele apo bileta për ndeshje sportive në Itali.

Katër të arrestuar të tjerë, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani, janë pronarë ose administratorë kompanish me të cilat koncensionari ka kryer blerje fiktive duke përfituar rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), për një shumë prej afro 500 mijë eurosh. Ata dyshohet se “kanë organizuar dhe vënë në funksionim skema mashtruese, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k”.

Gajshtë personat e tjerë për të cilët janë lëshuar urdhëra arresti, janë në kërkim. Dy prej tre janë ish administratorë të inceneratorit të Tiranës Arjola Kodra dhe italiani Giuseppe Ciaffaglione. Rasti i tyre nuk lidhet me hetimin e këtij inceneratori. Të dy dyshohen të kenë bërë pagesa fiktive në emër të babait të ish deputetit socialist Alqi Bllako, duke e paraqitur si të punësuar “Drejtor Kantieri”. Ai ka përfituar një pagë mujore prej 6 mijë eurosh për një periudhë nga tetori 2018 deri në janar 2020. I arrestuar në mars të këtij viti, ish deputeti socialist përfitoi në tetor lehtësimin e masës së sigurisë, në arrest shtëpie, por u rikthye në burg javën e kaluar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Lexoni edhe këtë Inceneratorët, ish deputeti socialist Bllako rikthehet në qeli

Katër personat e tjerë, po ashtu në kërkim, janë ish administratori i inceneratorit të Fierit Luran Dusha dhe Arber Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Driza, tre drejtuesë kompanish të lidhura me ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar dhjetorin e kaluar.

Lexoni edhe këtë Shkelje dhe rryshfet për inceneratorin e Elbasanit, arrestohet ish ministri Lefter Koka

Përmes tyre, sipas Prokurorisë së Posaçme janë bërë pagesa për punime të pakryera, për një vlerë për mbi 1.2 milionë euro, të cilat dyshohet se i kanë kaluar më pas në formën e ryshfetit, zotit Koka, përmes kompanive të tjera të familjarëve të tij. Këto kompani janë përmendur se kanë vënë në jetë të njejtën skemë dhe në rastin e inceneratorit të Elbasanit, për të cilin janë mbyllur hetimet. Ndërkohë ato vijojnë dhe për inceneratorin e Tiranës, por deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë.

Afera e inceneratorëve shihet si një ndër rastet më të mëdha dhe flagrante të korrupsionit, ndonëse qeveria ka këmbëngulur t’i konsiderojë si veprime personale, aktet e zyrtarëve të saj të arrestuar.