Ish-presidenti Donald Trump shpalli të martën në mbrëmje kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Njoftimi i tij erdhi pak pas zgjedhjeve për Kongresin në të cilat Partia Republikane, doli më dobët se pritshmëritë.
Por tani që zoti Trump nuk është më një frymë e re e partisë, siç ishte më 2016, ai po ofron trashëgiminë e tij dhe planet e mëdha për një administratë të dytë nën udhëheqjen e tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Donald Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën, ashtu siç kishte lënë të kuptohej për muaj të tërë, gjatë tubimeve dhe postimeve në rrjetet sociale, ku vazhdonte të ngulte këmbë tek pretendimet e rreme se i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020.
“Në mënyrë që ta bëjmë Amerikën sërish madhështore dhe të lavdishme, sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Në fjalimin gati një-orësh, zoti Trump thumboi paraardhësit e tij, kritikët, shtypin dhe autoritetet federale, shtetërore dhe lokale ato që po e hetojnë atë.
Ai përsëriti thirrjen e tij për politika më të ashpra, reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore për të eliminuar votimin e hershëm dhe për të kërkuar numërim të shpejtë votash, masa më të ashpra emigracioni, ligje konservatore në shoqëri dhe shpenzime më të mëdha ushtarake.
Ai gjithashtu u zotua se nëse fiton “shumë shpejt” do të vendosë një flamur amerikan në Mars.
Por cilat janë shanset e tij?
Analistët thonë se ai përballet me dy sfida të mëdha politike.
E para është ylli në rritje i Partisë Republikane, guvernatori i sapo zgjedhur i Floridës, Ron DeSantis. Të dy kanë politika të ngjashme konservatore për ligjin dhe rendin, emigracionin dhe shpenzimet qeveritare.
“DeSantis ka pothuajse të njëjtën qasje sa i përket ligjit dhe rendit dhe votuesve republikanë u pëlqen kjo. Por ai gjithashtu është më i afërt, më i butë dhe më njerëzor”, thotë Michael O’Hanlon nga instituti Brookings.
Pengesa e dytë është vetë vetja e tij. Zoti Trump është aktualisht në qendër të hetimeve të shumta mbi financat dhe një mori aktivitetesh të dyshuara kriminale para dhe gjatë presidencës së tij.
“Ai nuk është më ai politikani kryengritës që po rrëmben institucionet, siç ndodhi herën e kaluar. Tani të gjithë e njohim atë, të gjithë pamë katër vitet e punës së tij në Shtëpinë e Bardhë dhe dy vitet që pasuan. Pra, nuk mendoj se njerëzit do të ndryshojnë lehtësisht mendimin e tyre për të”, thotë zoni O’Hanlon.
Këtë herë, zoti Trump po përpiqet të shfrytëzojë trashëgiminë e tij dhe pretendimin e rremë se ai fitoi zgjedhjet e vitit 2020.
“Nën udhëheqjen tonë, ishim një komb madhështor dhe i lavdishëm, diçka që nuk është parë për një kohë të gjatë. Ishim një komb i fortë dhe më e rëndësishmja, ishim komb i lirë. Por tani jemi një komb në rënie”, tha zoti Trump.
Ish-nënpresidenti, Mike Pence, së fundmi e quajti zotin Trump “të papërgjeshëm” për inkurajimin e mbështetësve të tij për të sulmuar dhunshëm Kapitolin më 6 janar 2021.
Ata u përpiqën të ndalonin çertifikimin nga Kongresi të fitores së presidentit Joe Biden ndaj rivalit Trump.
Në një intervistë për programin “World News Tonight”, të rrjetit ABC, zoti Pence u pyet nëse ai do të mbështeste ish-presidentin.
“Mendoj se kjo varet nga populli amerikan. Por unë mendoj se do të kemi opsione më të mira në të ardhmen”, tha ai.
Presidenti Biden ka folur pak për zotin Trump dhe mundësinë e një ballafaqimi Trump-DeSantis më 2024.
“Do të jetë kënaqësi të shikosh përballjen e tyre”, tha ai.
Më serioze është trashëgimia e dhunës dhe paqëndrueshmëria e lënë nga presidenca e zotit Trump.
Detaje dramatike të ngjarjeve të 6 janarit janë rishfaqur në një seri seancash dëgjimore në Kongres.
Zoti Trump u thirr nga komisioni hetimor për të dëshmuar të hënën, por ai refuzoi, duke mos i lënë mundësi tjetër komisionit, veç hapjes së procedurave ligjore ndaj tij.