Prirje të reja të emigracionit shqiptar në Greqi

  • Raimond Kola

Në 30 vitet e pas komunizmit emigracioni më i madh i shqiptarëve ishte drejt Greqisë fqinje. Por kohët e fundit numri i emigrantëve nga Shqipëria në Greqi po shënon rënie të ndjeshme prej migrimit të brezit të dytë drejt Anglisë dhe Europës veriore. Studiuesit vlerësojnë se prirjet e reja migruese kanë ndikim edhe tek shumë zona ndërkufitare shqiptare ku emigrantët nuk po kthehen më nga Greqia në Shqipëri në mënyrë sezonale.

Your browser doesn’t support HTML5

Prirjet e reja të emigracionit të shqiptarëve

Në Vrisera të Gjirokastrës, një zonë kufitare buzë kufirit me Greqinë, një grusht banorësh janë mbledhur në një dëgjesë publike të Bashkisë së Dropullit për buxhetin e vitit të ardhshëm. Jeta e banorëve është bërë më e vështirë prej migrimit masiv dhe organizmi i shërbimeve sidomos për moshat e treta është një sfidë për qeveritë vendore.

Mihal Kicaqi nga Vriseraja flet për sfidat.

“Në zonën e Vriserasë të Dropullit të Sipërm kanë ikur masivisht dhe këtu kanë mbetur shumë pak pleq. Disa shtëpi në çdo fshat, maksimumi 30 shtëpi që janë me dy apo tre banorë. Dhe kjo krijon shumë vështirësi si për shërbimet sidomos shëndetësore, transportin jetën në përgjithësi.”

Zoti Kicaqi thotë më tej se largimi së fundi edhe nga Greqia i brezit të dytë e bën më të vështirë lidhjen me familjet në Shqipëri. Ai thotë se djali i tij ka migruar së fundi në Anglid dhe ai nuk e ka dëshiruar këtë migrim të dytë.

“Unë kisha djalin që më iku nga Greqia, nga Athina ku kishte punën, në Angli. Kjo për arsye se kishte rrogën e ulët dhe nuk i dilte të plotësonte nevojat. Gjetën mundësi më të mira atje dhe kështu kanë ikur shumë emigrant shqiptarë edhe nga Greqia. Nuk e doja një mergim të dytë të djalit, por tani po mësohemi", thotë ai.

Në Greqi nuk ka ende statistika të qarta për largimin e shqiptarëve drejt vendeve europiane dhe në Angli pasi një pjesë e migrantëve shqiptarë të brezit të dytë janë larguar me dokumente apo nënshtetësi greke.

Eda Gemi, një studiuese e njohur e çështjeve të emigracionit shqiptar në Greqi flet mbi këtë dukuri.

“Përllogaritet që rreth viteve 2018-2020 rreth 55mijë deri në 60 mijë shqiptarë të brezit të dytë janë larguar drejt Britanisë së madhe kryesisht. Ndërsa për sa u përket emigrantëve grekë të moshave të reja 18-29 është pak a shumë më 400 deri 450 mijë.

Zonja Gemi thotë më tej se drejt vendeve të Evropës Veriore apo në Angli po largohet një brez shqiptarësh i mirëkualifikuar.

Brezi i dytë i shqiptarëve në Greqi është shumë i kualifikuar. Zakonisht kanë mbaruar studimet në Greqi dhe këtë kapital dijesh ato e investojnë nënjë vend tjetër.

Studiuesja e çështjeve të emigracionit thotë se paavrësiht kurbave të lëvizjes së emigracionit shqiptar në Greqi, sidomos pas krizës ekonomike greke e cila shtyu shqiptarët të largohen nga Greqia si pasojw e nismave qeveritare greke ka pasur një lehtësim të punësimit sezonal të shqiptarëve në Greqi.

“Kemi një lloj liberalizimi të punësimit sezonal të shqiptarëve në Greqi. Kjo filloi që me pandeminë. Ishte pikërisht viti 2020, nevojat për puënsim sezonal kryesisht në bujqësi por edhe në blektori e bënë që qeveria greke të marrë vendimin që shqiptarët të shkojnë në Greqi me pasaporta pa pasur nevojën e vizave sezonale.

Emigracioni shqiptar ka qenë një mbështetës i madh për familjet në Shqipëri jo vetëm përmes dërgimit të parave por edhe përmes kontributit në mëmyrë sezoanle të familejev që kthehshin nga Greqia pwr tw punuar dhe jetuar në Shqipëri.

Lëvizjet e reja të shqiptarëve nga Greqia sidomos të familjeve më të reja në moshë e kanë ndryshaur së fundi këtë trajektore lwvizjeje thorë zonja Gemi.

Nga momenti që një pjesë e konsiderueshme e emigracionit shqiptar në Greqi ka lëvizur drejt vendeve të tjera, atyre skandinave , Britanisë së Madhe apo Europës Kontinentale përfshi këtu Belgjikën, Gjermaninë kryesiht ,padyshim ka ndryshuar trajektoren e lëvizjes së familjeve shqiptare sidomos të atyre më të reja në moshë.

Zonja Gemi thotë më tej se Shqipëria nuk është një pol tërheqës për emigracionin shqiptar në Greqi për një seri faktorësh.

“Nga momenti që Shqipëria nuk është më një pol tërheqës për shqiptarët se po të shihni kurbën e këtyre trajektoreve të lëvizjes së emigracionit shqiptar pas vitit 2008 stacioni i parë për emigrantët shqiptarë që linin Greqinë ka qenë Shqipëria .Ishte ideja të rikonsideronin kthimin në Shqipëri për të përballuar rënien e ekonomisë në Greqi prej krizës financiare. Por Shqipëria nuk u ka dhënë shumë shqiptarëve dhe nuk u jep akoma shumë. Ka një treg pune që është i segmentuar , nuk është i mirëorganizuar, sektorë të ekonomisë nuk janë të strukturuara dhe të bazuara tek aftësitë profesionale dhe diplomat shkollore përkatëse. Por komuniteti shqiptar në Greqi është më i madhi pavarësisht rënies dhe pavarësisht rrymave të reja migratore. Asnjë komunitet tjetër nuk ka arritur të zëvendësojë shqiptarët në tregun e punës nëg Greqi.”

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria greke e Emigracionit për shtatorin e këtij viti flasin se në Greqi ndodhen 291. 868 emigrantë shqiptarë me lejeqëndrimi të vlefshme të cilët përbëjnë rreth 61,4 % të të huajve të ligjshëm.

Numri i shqiptarëve që rezultojnë me lejeqëndrimet në shtator të vitit 2022 është dukshëm më i ulët se shtatori i një viti më parë kur regjistroheshin 425.740 persona me lejeqëndrimi të vlefshme, të cilët përbënin 63,% të të huajve në Greqi.

Të dhënat e Ministrisë greke të Emigracionit përditësohen në dinamikë dhe ndonëse emigrantët nga Shqipëria përbëjnë pjësën dërrmuese të të huajve të pajisur me lejeqëndrimi, numri i tyre vjen gjithnjë e më në rënie.