Shqipëri, protestë e opozitës kundër qeverisë Rama

  • Armand Mero

Protesta e opozitës para selisë së Qeverisë

Në Shqipëri, opozita zhvilloi sot në mbrëmje protestën e paralajmëruar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Mijëra mbështetës të saj u mblodhën për më shumë se dy orë para godinës së qeverisë në bulverdin qëndror të Tiranës, në një nga manifestimet më të mëdha të organizuara nga opozita vitet e fundit.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, protestë e opozitës kundër qeverisë Rama

Ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, e cilësoi protestën “cunami i lirisë së shqiptarëve” dhe “fillimin e betejës sonë të madhe”. Ndërsa ish presidenti Ilir Meta, i cili është në krye të Partisë së Lirisë (ish Lëvizja socialiste për Integrim) e quajti një “miting të fitores, të lirisë, të triumfit dhe të demokracisë”.

Në qendër të fjalës të dy figurave qendrore të opozitës, ishin akuzat e panumërta ndaj kryeministrt Edi Rama. Ai konsiderohet prej tyre përgjegjës për largimin e vazhueshëm të shqiptarëve nga vendi, e veçanërisht të të rinjve. Për këtë arsye, pjesë e skenografisë së protestës ishte dhe një gomone me flamurin e Britanisë së madhe. Emigrimi i shqiptarëve drejt këtij vendi, çoi kohët e fundit dhe në një reagim të fortë të kryeministrit Edi Rama, ndaj disa autoriteteve britanike, që folën për “një pushtim nga ana e shqiptarëve”.

Por sipas zotit Berisha, “shqiptarët nuk ikin vetëm se janë më të varfërit njerëz të Europës. Por mos harroni se ata sot janë njerëzit më të vjedhur të Europës dhe të planetit. Asnjë komb, asnjë qytetar në asnjë vend nuk ka si në Shqipëri njerëz të vjedhur gjer në palcë nga qeveritarë të pangopur, nga qeveritarë që nuk kanë asnjë normë morale, nga qeveritarë që nuk kanë më ligje, nuk kanë Kushtetutë”.

Ai iu drejtua me një thirrje komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë kujdes me financimet që i japin Shqipërisë. “Ruani fondet tuaja, ruani fondet e taksapaguesve tuaj, mos ja japeni kësaj qeverie se do kenë fatin e fondeve, taskave, tatimeve që shqiptarët paguajnë dhe vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij”.

Zoti Berisha kërkoi gjithashtu nga Bashkimi Europian, vendet anëtare të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara “mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve. Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të qytetarëve shqiptarë. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara”.

Për ish presidentin Meta, kryeministri dhe qeveria e tij po “grabisin dhe shesin Atdheun. "Rilindja" ka vetëm një axhendë: "Vidh - Shpopullo - Shkombëtarizo". Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet. Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Europë për korrupsion dhe i dyti në botë për rryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre”, deklaroi ai në fjalën e tij gjatë protestës.

Zoti Berisha ftoi shqiptarët të bashkohen me opozitën, ndërsa paraqiti atë që e cilësoi si paketë antikrizë. “Çdo shqiptar që dëshiron dyfishimin e rrogave, dyfishimin pensioneve, dyfishimin ndihmës ekonomike, që do të shkollojë fëmijët në Shqipëri, të punësojë ata, të bashkohet me ne kundër Edi Ramës. I garantojmë se janë të gjithë potencialet për një paketë antikrizë që çmimet të mos jenë kurrë më të larta se në Kosovë e Maqedoni, që rrogat të dy dhe trefishohen, që nafta të ketë çimet si në vendet përreth. Çdo shqiptar që do që ferma dhe biznesi i tij të prosperojë të bashkohet me ne".

"Ne garantojmë përgjysmimin e taksave për fermerët. Garantojmë çmime energjie të paktën tre-katër herë më të ulët se sot. Garantojmë konkurrencë të ndershme dhe treg të lirë”, deklaroi ai.

Si zoti Berisha, ashtu dhe zoti Meta premtuan se “kryeministri do të ketë fundin që meriton, në burg”.

Kryeministri Edi Rama është treguar indieferent ndaj protestës së opozitës. Pak ditë më parë ai deklaroi për gazetarët se “nuk kemi asnjë lloj minute për të humbur me protestën e thirrur prej atyre që kanë marrë gjysmë milioni dollarë për të bërë protesta të kësaj natyre në të kaluarën. Koha do tregojë që lidhjet e tyre me likuiditetet ruse nuk janë ndërprerë, do ta shikoni”. Ai u shpreh “keqardhur për të gjithë ata, që do t’u shkojnë nga mbrapa duke menduar se kush e di për çfarë po u shkojnë nga mbrapa, po thjesht po tërhiqen për hunde”.

Ndërsa sot para protestës në Twitter ai publikoi një takim mes zotit Berisha kur ishte kryeministër dhe kryetarit të atëhershëm të Komisionit të Jashtëm të parlamentit rus, shoqëruar me komentin se “Një muaj përpara bashkimit të duarve për t’i ngulur thikën pas shpine Kosovës dhe Shqipërisë në Strasburg, Çorba e Rublave është gatuar në Tiranë gjatë një vizite të përfaqësuesit të Putinit, e vlerësuar “shumë e rëndësishme” nga zyra e vulëhumburit tanimë të damkosur: NonGrata!”.