Ushtria amerikane duhet të ndryshojë që të ruajë avantazhin përballë Kinës dhe Rusisë

avioni B-21

Shefi i shtabit të Forcave Ajrore amerikane paralajmëron se ushtria amerikane duhet të ndryshojë nëse dëshiron të ruajë avantazhin përballë Kinës dhe Rusisë. Gjenerali bisedoi këtë javë me korrespondenten e Zërit të Amerikës Carla Babb për të diskutuar se si Forcat Ajrore po i përshtaten kërcënimeve që po ndryshojnë në mbarë globin.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin përqëndruar tek lufta kundër ekstremistëve islamistë në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme, Rusia dhe Kina shtuan gradualisht fuqinë e tyre ushtarake.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, ruajtja e avantazhit ushtarak përballë Kinës dhe Rusisë

Rusia tashmë po i tregon muskujt e saj ushtarakë në Ukrainën fqinje, ndërsa Pentagoni e konsideron Kinën si rrezikun më të madh ndaj sigurisë kombëtare.

Duke folur ekskluzivisht me Zërin e Amerikës, Gjenerali C.Q. Brown Jr., shef i shtabit të Forcave Ajrore, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara nuk duhen të ndjehen të kënaqura me situatën e tanishme, nëse dëshirojnë të vazhdojnë të jenë superfuqia më e madhe në botë.

“Kundërshtarët tanë kanë vazhduar të përparojnë me kapacitetet e tyre, ndërkohë që ne po përdorim të njëjtat kapacitet që kemi përdorur gjatë 30 viteve të fundit. Rreziku me të cilin përballemi nuk do të jetë rreziku që do të kemi në të ardhmen. Prandaj duhet patjetër të ndryshojmë”, thotë Gjenerali Brown.

Kina ka më shumë personel ushtarak në shërbim aktiv se Shtetet e Bashkuara dhe ka investuar për dekada për të përmirësuar armatimin e saj. Gjatë viteve të fundit, ushtria kineze ka prodhuar aeroplanmbajtëse të reja, avionë të rinj dhe një arsenal masiv me raketa.

Por, nëse Kina shpenzoi rreth 250 miliardë dollarë për ushtrinë gjatë vitit 2022, Shtetet e Bashkuara shpenzuan gati tetë herë më shumë.

“Është e drejtë që të pranohet përparimi i këtyre kundërshtarëve të mundshëm, por vetëm ky fakt nuk duhet krijojë panik në Shtetet e Bashkuara. Jemi ende relativisht me kapacitete të shumta – forcat më të mira ushtarake në botë”, thotë Melanie Sisson, nga Instituti Brookings.

Veterani dhe analisti i mbrojtjes Bradley Bowman vë në dukje se Kina ka zgjedhur metodikisht dhe qëllimisht modernizime të projektuara për të mundur Shtetet e Bashkuara në Azinë Lindore, që është një fushëbetejë e mundshme për shkak të Tajvanit.

Kjo mund t’i lërë të ekspozuara ndaj sulmeve kineze portet dhe bazat amerikane.

“Kinezët kanë krijuar kapacitete po aq të mira sa tonat, ndonjëherë edhe më të mira. Avantazhi ushtarak i Amerikës në Paqësor është pakësuar, dhe unë shoh Kinën që përparon me shpejtësi, ndërsa shpesh ne këtu në Uashington duket sikur dremisim”, thotë zoti Bowman.

Forcat Ajrore amerikane do të paraqesin muajin e ardhshëm avionin më të ri bombardues që nuk kapet nga radarët, B-21. Ai do të zëvendësojë bombarduesit B-1 dhe B-2, që kanë qenë në përdorim që nga vitet 1980.

“Prandaj duhet të modernizohemi, pasi janë disa avionë që për nga pikëpamja e mirëmbajtjes janë më të vështirë ndërkohë që po pakësohen burimet për pjesët e ndërrimit. Me modernizimin rritet numri i avionëve të disponueshëm dhe sigurohemi që kemi gatishmëri të forcave”, thotë Gjenerali Brown.

Përgatitje për diçka që zyrtarët amerikanë shpresojnë të mos ndodhë kurrë. Ata thonë se Kina kërkon të arrijë kapacitetet për ta marrë dhe për ta mbajtur Tajvanin brenda vitit 2027. Kina gjithashtu ka njoftuar se synon që të bëhet një forcë ushtarake e klasit botëror “për të bërë luftë dhe për të fituar” brenda vitit 2049.