Rezultatet e zgjedhjeve të së martës, që ishin larg pritshmërive të Partisë Republikane, kanë bërë që disa aleatë të Presidentit Trump t’i bëjnë atij thirrje të shtyjë njoftimin e planifikuar për javën tjetër, ku mendohej se ai mund të shpallte kandidaturën për zgjedhjet e 2024.
Zyrtarë të Partisë Republikane duan që vëmendja në ditët në vazhdim të përqëndrohet në shtetin e Xhorxhias, ku kandidati i mbështetur nga zoti Trump, Herschel Walker, është në balotazh me senatorin aktual demokrat Raphael Warnock.
Gara mund të jetë përcaktuese për të vendosur mbi fatin e kontrollit të Senatit. “Do ta këshilloja ta shtynte njoftimin deri pas balotazhit të 6 dhjetorit”, tha ish këshilltari i Presidentit Trump, Jason Miller, i cili ishte me presidentin në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida.
Presidenti Trump synonte t’i përdorte zgjedhjet si një mundësi për të provuar ndikimin e tij politik, pas humbjes para dy vjetësh. Ai mbështeti mbi 330 kandidatë në gara të ndryshme, që nga ato për postet më të larta, deri tek postet më të ulta, shpesh duke inkurajuar kandidatë pa përvojë, ose me të meta. Ai u mburr me fitoret e kandidatëve të tij gjatë votimeve paraprake në parti. Por shumë prej qëndrimeve që mbështesnin ata, që nga gënjeshtra për vjedhjen e zgjedhjeve të 2020 dhe qëndrimet e linjës ekstreme kundër të drejtës për abort, nuk ishin në përputhje me pikëpamjet dominuese politike. Kandidatët e ish presidentit arritën disa fitore të rëndësishme si ato në Ohajo, ku shkrimtari JD Vance fitoi në garën për në Senat, pasi mbështetja që siguroi nga ish presidenti e ngriti atë në krye të listës së rivalëve republikanë gjatë primareve. Në Karolinën e Veriut, kandidati tjetër Ted Budd, i mbështetur po nga ish presidenti, i dha një vend tjetër në Senat republikanëve.
Por kandidatët e tij humbën në disa gara të rëndësishme, si për shembull në Pensilvani, ku mjeku Mehmet Oz humbi ndaj demokratit John Fetterman. Kandidatët e mbështetur nga zoti Trump po ashtu humbën garat për guvernator në Pensilvani, Meriland dhe Miçigan.
Fitorja më e madhe e republikanëve ishte në Florida, ku guvernatori Ron DeSantis fitoi thellë, duke çimentuar statusin e tij si një figurë qendrore në ngritje në Partinë Republikane, si dhe një kandidat i mundshëm i saj për president në 2024. “Sapo e kam filluar betejën” tha ai pas fitores të martën.
“Këto zgjedhje ishin një mundësi e mirë, por mbështetja nga zoti Trump e kandidatëve, që nuk mund të fitonin, na e hoqi atë nga duart”, thotë Scott Reed, një prej këshilltarëve me përvojë të partisë republikane. “Trump ka humbur deri tani tre gara rresht për republikanët dhe ka ardhur koha të shkëputemi nga teoritë e tij jo-realiste”, shton ai. “Partia republikane”, argumenton analisti Reed, “kishte gjithë avantazhet e duhura, fondet, çështjet që shqetësojnë amerikanët, nivelin e ulët të mbështetjes për presidentin Biden, por përpjekjet e Presidentit Trump për të vënë veten në qendër të vëmendjes me kandidimin e mundshëm për 2024, qartazi nxitën shumë të pavarur dhe mobilizuan bazën e demokratëve për të dalë në numër të madh për të votuar”.
Ish Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, një mik i hershëm dhe këshilltar i ish Presidentit Trump, i kthyer në kritik të tij, që mund të jetë vetë duke shqyrtuar mundësinë të kandidojë më 2024, thotë se republikanët “duhet të marrin një vendim jetik”. “Ne humbëm më 2018, humbëm më 2020, humbëm në Xhorxhia në 2021 dhe tani në 2022 po humbasim në garat për guvernatorë, nuk do të fitojmë aq vende në Dhomën e Përfaqësuesve sa duhet të fitonim dhe mund të mos e marrim kontrollin e Senatit, megjithëse mbështetja për punën e presidentit Biden është vetëm 40 përqind”, tha ai, duke shtuar se “personi i vetëm që duhet fajësuar për këtë është Donald Trumpi”.