Stoltenberg: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që përshkallëzojnë tensionet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën pas zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Sekretari Stoltenberg shkroi në rrjetet sociale se ka biseduar më kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për “situatën e tensionuar në veri të Kosovës”.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, shkroi ai duke theksuar se forcat e KFOR-it mbeten syçelë përballë situatës.

Forcat paqeruajtëse në Kosovë thanë në një përgjigje për Zërin e Amerikës se "komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe se kjo forcë mbetet vigjilente dhe nuk ka asnjë ndryshim në paraqitjen e forcës së saj. Trupat e KFOR-it po vëzhgojnë situatën në terren dhe vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është thelbësore që të gjitha palët të vazhdojnë dialogun për hir të sigurisë në Kosovë dhe qëndrueshmërisë në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Edhe Misioni Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë tha se po vëzhgon nga afër të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve, ndërsa mohoi të ketë marrë përsipër përgjegjësi policore në veriun e Kosovës.

“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it, e përbërë prej 105 zyrtarëve policorë polakë, ka shtuar më tej patrullimet në veri dhe është reaguesi i dytë rreth sigurisë së Kosovës, si pjesë e një mekanizmi prej tre shtresash ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë. EULEX është reaguesi i dytë i sigurisë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë”, thuhet në një komunikatë të EULEX-it në të cilën nënvizohet se ky mision do të angazhohet vetëm me kërkesë të Policisë së Kosovës.

Në veri nuk ka më pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb, pas vendimit të Listës Serbe, subjektit kryesor të politikë të serbëve të Kosovës për t’u tërhequr nga institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth një vendimi të qeverisë qendrore në Prishtinë për t’i dhënë fund përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Beogradi akuzon Prishtinën për mospërmbushje të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin se po përdorë serbët lokal për të shmangur një marrëveshje normalizimi ndërmjet palëve.

Perëndimi ka frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikte në Ballkanin Perëndimor që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta dhe po u bën thirrje palëve të zgjidhin mosmarrëveshjet në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja që është edhe adresa e aspiratave të tyre për integrim.