Garat kryesore të zgjedhjeve për Kongresin amerikan

Më 8 nëntor votuesit amerikanë do të zgjedhin anëtarët e rinj të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, që do të përcaktojnë se cila parti do të ketë kontrollin e tyre. Siç shpjegon korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, vetëm një pjesë e vogël e garave në të gjithë vendin do të vendosin nëse demokratët do të mbeten në pushtet apo nëse republikanët do të fitojnë shumicën.

Pas disa muajsh fushate për të tërhequr miliona votues, vetëm një pjesë e vogël e shteteve do të vendosin nëse demokratët do të ruajnë shumicën e tyre të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.

Presidenti Biden ka bërë fushatë në Pensilvani, një nga pak garat e ngushta për Senatin nga 35 prej tyre që zhvillohen këtë vit. Kandidati demokrat në këtë garë, John Fetterman po përballet me shqetësime mbi gjendjen e tij shëndetësore pas një hemoragjie në tru që pësoi së fundmi.

"Më rrëzoi, por do të ngrihem, do të rikthehem", tha zoti Fetterman.

Kandidati demokrat është në garë me rivalin e tij republikan Dr. Mehmet Oz, i cili ka mbështetjen e ish-presidentit Donald Trump.

“Unë do ta mbështes zotin Trump nëse ai vendos të kandidojë për president. Por kjo çështje është më e madhe se sa një kandidat. Është më e rëndësishme për ne të flasim mbi atë se si do të ndërtojmë një mjedis ku më shumë amerikanë ndjehen të sigurt për të ardhmen e tyre", tha ai.

Sondazhet tregojnë se gara për kontrollin e Senatit është aq e ngushtë, sa nuk ka asnjë avantazh për asnjërën parti, ndonëse pritshmëritë për këto zgjedhje zakonisht favirozojnë partinë, e cila nuk kontrollon Shtëpinë e Bardhë, pra në këtë rast republikanët.

“Nëse i hedhim një vështrim historisë, me disa përjashtime të vogla, në zgjedhjet që mbahen dy vite pas fillimit të mandatit të parë të presidentit, partia e tij humbet kontrollin e Kongresit sepse votuesit e shohin që të gjitha premtimet e bëra në fushatën presidenciale nuk janë përmbushur plotësisht. Kështu që njerëzit zhgënjehen pak, dhe ky zhgënjim rritet më tej nëse votuesit ndikohen nga gjendja jo e mirë ekonomike, si rritja e inflacionit dhe e çmimit të karburantit”, thotë analisti Casey Burgat nga Universiteti George Washington.

Por në shtetin jugor të Xhorxhias, ku votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar, çështjet sociale kanë luajtur gjithashtu një rol në garën për Senatin. ((CG: WSB)) Kandidati republikan Herschel Walker ka mohuar akuzat se ka paguar një të dashur që të ndërpriste shtatëzaninë.

“Kjo çështje e abortit është e rreme. Është gënjeshtër", tha ai.

Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë midis zotit Walker dhe rivalit të tij demokrat, senatorit Raphael Warnock.

"Unë mendoj se një pjesë e problemit me politikën tonë tani është se më shumë po flitet për politikanët se sa për çështjet që shqetësojnë votuesit", tha ai.

Në shtetin jugperëndimor të Arizonës, imigracioni është një shqetësim kryesor. Senatori demokrat Mark Kelly u distancua nga politikat kufitare të Presidentit Biden.

“Unë kam mbështetur fuqishëm çështjet që lidhen me sigurinë e kufirit dhe u kam rezistuar demokratëve, përfshirë presidentit, kur ata kanë qenë në anën e gabuar të kësaj çështjeje”, tha ai.

Rivali i tij republikan, Blake Masters, si shumë kandidatë të tjerë të mbështetur nga ish presidenti Trump anembanë vendit, vazhdon të pretendojë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, megjithëse paditë e shumta mbi këtë çështje janë hedhur poshtë nga gjykatat e vendit.

“Mendoj se Presidenti Trump do të ishte sot në Shtëpinë e Bardhë nëse kompanitë e mëdha të teknologjisë, mediat dhe FBI-ja nuk do të kishin mbështetur përpjekjet për manipulim për të ndihmuar demokratin Joe Biden”, tha ai.

Më 8 nëntor zhvillohen zgjedhjet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, demokratët kanë një shumicë me vetëm tetë vende më shumë në Dhomën e Përfaqësuesve.