Roli i partive të treta në politikën amerikane 

  • Steve Herman

Kur amerikanët t’i drejtohen kutive të votimit në 8 nëntor, me gjasë ata do të zgjedhin mes kandidatëve të Partisë Demokratike ose asaj Republikane. Megjithatë, në garë do jenë edhe kandidatë nga të ashtuquajturat parti të treta. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Steve Herman këto parti tradicionalisht kanë patur pak fat. Por një parti e re po shpreson të trondisë të gjithë sistemin amerikan.

Your browser doesn’t support HTML5

Roli i partive të treta në politikën amerikane

Që prej mesit të shekullit të XIX (nëntëmbëdhjetë), çdo president amerikan është zgjedhur ose nga radhët e Partisë Republikane ose asaj Demokratike. Prej më shumë se sa 50 vjetësh nuk ka patur asnjë kandidat real nga parti të treta, që të ketë garuar për në Kongres.

Shumë parti të vogla përqendrohen në një çështje ose filozofi të caktuar. Micah Sifry, shkrimtar dhe aktivist, i cili ka shkruar një libër për paritë e treta thotë se këto forca politike duke dashur t’i qendrojnë besnike kauzës së tyre, dështojnë të sigurojnë vota të mjaftueshme që kandidatët e tyre të zgjidhen.

"Këto forca politike garojnë në një sistem që është paragjykues, që nuk u jep mundësi partive të vogla të përparojnë. Ne nuk kemi përfaqësim proporcional në Shtetet e Bashkuara. Kështu, edhe nëse merr 5 për qind të votave, nuk merr 5 për qind të vendeve", thotë ai.

Partia e tretë më jetë-gjatë e Amerikës është Partia e Ndalimit, (Prohibion Party), e cila ka patur një kandidat presidencial në çdo zgjedhje, që nga viti 1872, në betejën e saj për ndalimin e alkoolit si pije.

Kauza e saj është bazuar në ligjin që ishte në fuqi nga 1920 deri në vitin 1933, që ndalonte shitjen dhe prodhimin e alkoolit.

“Rreth 2 milionë njerëz votuan kandidatë të partive të vogla në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2020. 2 milionë nga 120 milionë. Nuk është një shifër domethënëse. Mund të ketë rëndësi vetëm në gara shumë të ngushta. Për shembull disa vota për Partinë e Gjelbër, Partinë e Ndalimit, apo një parti tjetër mund të jenë përcaktuese nëse këto forca politike kanë rezultate shumë të ngushta”, thotë Micah Sifry, shkrimtar dhe aktivist.

Këtë vit në skenën politike amerikane po hyn Partia Përpara. Mes themeluesve është biznesmeni Andrew Yang i cili nuk pati sukses në primaret presidenciale të Partisë Demokratike dy vjet me parë dhe ishte i pasuksesshëm edhe në garën për kryebashkiak të qytetit të Nju Jorkut vitin e shkuar.

Bashkë me të në këtë parti është edhe ish guvernatorja e shtetit të Nju Xhersit, Christine Todd Whitman, një ish- republikane e cila u kthye në kritike të ashpër të ish-Presidentit Donald Trump.

“Duhet të ndryshojmë sistemin. Prandaj ne mbështesim primaret e hapura dhe votën preferenciale. Kjo do të thotë se kandidatët e dy partive do të duhet të konkurojnë dhe bisedojnë me çdo qytetar dhe jo vetëm me bazën e partive të tyre”, thotë ajo.

Duke u portretizuar si një alternativë e qendrës, që mund të mbështesë si demokratë edhe republikanë, ose në gara të pakontestueshme, të paraqesë kandidatët e saj, Partia Përpara po mbështet votën preferenciale.

Në këtë sistem, votat e kandidatëve me rezultate të ulta në primare u rishpërndahen kandidatëve më të fortë, sipas zgjedhjes së dytë apo të tretë të votuesit”.

“Kjo do të marrë kohë. Na është dashur kohë të arrinim në një pikë ku kemi një sistem të shkatërruar. Mendoj se ne jemi zgjedhja më e mirë, por njerëzit nuk po na përgjigjen”, thotë Christine Todd Whitman, nga partia Përpara.

Mbetet për t’u parë nëse elektorati do të mbështesë një parti të moderuar, në kohën kur Shtetet e Bashkuara janë me të polarizuara se kurrë më parë, që nga koha e Luftës Civile, kur republikanët dhe demokratët nisën të dominonin skenën politike të vendit.