Biden "i shqetësuar" për ndihmën ndaj Ukrainës nëse republikanët marrin kontrollin e Kongresit

Presidenti Joe Biden shprehu shqetësim të enjten në lidhje me të ardhmen e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën nëse republikanët fitojnë kontrollin e njërës ose dy dhomave të Kongresit në zgjedhjet e 8 nëntorit.

"Jam i shqetësuar," u tha zoti Biden gazetarëve kur u pyet për ecurinë e ndihmës në Ukrainë nëse fitojnë republikanët.

Presidenti Biden ishte në Pitsburg për të bërë fushatë për demokratin John Fetterman, gara e të cilit për Senatin kundër republikanit Mehmet Oz do të kontribuojë për të përcaktuar nëse demokratët do të mbajnë kontrollin e Senatit.

Ditët e fundit, udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha se nuk do të "nënshkruante një çek të bardhë" për ndihmën ndaj Ukrainës nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët në zgjedhjet e Kongresit.

Republikanët janë të ndarë mes atyre që shohin nevojën për të frenuar Rusinë dhe të tjerëve që preferojnë një politikë të jashtme më izoluese.
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 17.5 miliardë dollarë ndihmë amerikane për ushtrinë e Ukrainës që kur Rusia filloi agresionin ndaj fqinjit të saj më 24 shkurt.