A janë banorët në Kaliforni gati për makinat elektrike?

US Tesla Heat Pump Recall

Rregullatorët në Kaliforni njoftuan në fund të gushtit se miratuan një plan për të kërkuar që të gjitha automjetet e reja të shitura në atë shtet të funksionojnë me energji elektrike ose hidrogjen deri në vitin 2035. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Angelina Bagdasaryan njofton.

Your browser doesn’t support HTML5

A janë banorët në Kaliforni gati për makinat elektrike?

Në fund të gushtit, Kalifornia u bë shteti i parë amerikan që njoftoi se deri në vitin 2035 do të eleminojë shitjet e makinave të reja me karburant për të luftuar ndotjen dhe ndryshimet klimatike.

Tani për tani, mbi 14 milionë makina janë të regjistruara në shtetin më të populluar të vendit, dhe rreth 16% e tyre janë makina elektrike. Rregulloret e reja do ta çojnë këtë numër në 35% deri në vitin 2026 dhe 68% deri në vitin 2030. Qëllimi është që gjatë dy dekadavetë ardhshme të pakësohet me 35% çlirimi i gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe me 80% oksidi i azotit.

“Në Kaliforni, plani do të ndikojë pozitivisht për mjedisin. Asgjë tjetër nuk do ta zvogëlonte më shumë çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë.”

Guvernatori Gavin Newsom thotë se kalifornezët janë gati për ndryshimin e madh.

“Të gjithë jemi dakord që duhet të shtohet proidhimi i energjisë së pastërt. Njerëzit nuk duan të shkojnë më tek pikat e karburantit. Kalifornezët janë të lodhur që e ardhmja e tyre të përcaktohet nga njerëzit në Lindjen e Mesme bazuar në politikat e naftës…”, tha guvernatori Newsom.

Shoferët thonë se do të ishin të lumtur t’i ndërronin makinat e tyre të zakonshme me ato elektrike. Problemi është se sipas çmimit të tregut, automjetet elektrike kushtojnë mesatarisht 10 mijë dollarë më shumë se makinat me benzinë. Megjithatë, konsumatorët si Brian, i cili nuk donte të jepte mbiemrin e tij, thonë se lëvizja drejt energjisë së gjelbër është e pashmangshme.

“Herët a vonë, kjo do të ndodhë. Gjithçka po shkon drejt energjisë së gjelbër, është e kuptueshme që ky tranzicion të ndodhë, thjesht duhet të presim që tregu ta bëjë këtë…”

Ka shqetësime të tjera në lidhje me makinat elektrike, të tilla si çështjet e zinxhirit të furnizimit në lidhje me bateritë dhe mungesa e stacioneve të karikimit. Sot ka rreth 80,000 stacione të tilla në Kaliforni - numri më i madh në krahasim me çdo vend tjetër në SHBA, por shteti është ende mjaft prapa objektivit të tij për të pasur 250,000 pika të tilla deri në vitin 2025.

“Duhet të kuptoni se për fat të keq tani –nuk ka aq shumë makina elektrike – sepse ne nuk kemi shumë pima karikimi. Unë, personalisht, nuk mendoj se kjo do të ndodhë saktësisht në vitin 2035. Besoj se do të zgjasë shumë më tepër se kaq”.

Vladimir Rajcic ka në pronësi një pikë-shitje makinash dhe beson se tregu do të përshtatet me realitetin e ri të gjelbër, por jo aq shpejt sa shpresojnë ligjvënësit e Kalifornisë.

Por shkencëtarët e klimës thonë se kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike, nëse nuk bëjmë asgjë, shkrirja e akullit do të shkaktojë rritje të rrezikshme të nivelit të detit gjatë këtij shekulli.

“Presim patjetër një deri në dy metra në disa rajone. Në Gjirin e San Franciskos, për shembull, ose në zonën metropolitane të Los Anxhelosit. Ne mund ta ndalojmë, ose të paktën ta ngadalësojmë ritmin me të cilin po përparon!”, thotë Helen Dahlke me Universitetin e Kalifornisë.


Sa më shumë shtete të ndjekin shembullin e Kalifornisë, aq më shpejt tregu i makinave do të kalojë në makina elektrike, thonë ekspertët.

Të paktën katër shtete të tjera kanë ndërmarrë tashmë hapa për të ndjekur shembullin e Kalifornisë.