Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi.
Zyrtarët koreano-jugorë dhe japonezë thanë se raketa u lëshua dhe ra në det, në bregun lindor të Korese së Veriut.
Kang Ho-pil, një zyrtar i lartë i shtatmadhorisë koreano-jugore, tha se ushtria e vendit ka lëshuar një paralajmërim të fortë për Korenë e Veriut duke i kërkuar të ndalë të tilla prova provokuese.
Sipas zyrtarëve koreano-jugorë, Koreja e Veriut qëlloi 170 predha dhe gëzhojat ranë brenda zonave asnjanëse, të përcaktuara sipas marrëveshjes së vitit 2018 që synonte të ulte tensionet në Gadishullin Korean.
Hirokazu Matsuno, kryesekretar i kabinetit qeveritar të Japonisë, tha se lëshimi i raketës dhe fluturimi i avionëve luftarakë pranë kufirit me Korenë e Jugut ka përshkallëzuar më tej tensionin e shkaktuar pas provave të fundit të armëve nga Koreja e Veriut. Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut dënoi Phenianin për përshkallëzimin e tensioneve.
“Ne besojmë se Koreja e Veriut mund të kryejë veprime të mëtejshme provokuese, përfshirë edhe prova bërthamore. Japonia do të vijojë të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera dhe do të bëjë çdo përpjekje për të mbledhur dhe analizuar çdo informacion dhe për të marrë çdo veprim në rast rreziku”, tha Matsuno.
Po ashtu, Seuli urdhëroi ngritjen e menjëhershme të avionëve luftarakë pasi rreth 10 avionë ushtarakë të Koresë së Veriut fluturuan pranë kufirit së Koresë së Jugut, tha shtatmadhoria koreano-jugore.
Seuli ka vendosur sanksione të njëanshme kundër Phenianit, duke futur në listën e zezë 15 individë të Koresë së Veriut dhe 16 institucione të përfshira në zhvillimin e raketave.
Shtatmadhoria koreano-jugore ka paralajmëruar Korenë e Veriut të ndalë provokimet dhe përshkallëzimin e tensionit.
Një pjesë e informacioneve për këtë artikull janë marrë nga Reuters.