Avokatja e zotit Trump intervistohet nga agjentë të FBI-së

Trump FBI

Një avokate e ish-presidentit Donald Trump, e cila nënshkroi një letër ku thuhej se ishte kryer një "kërkim i hollësishëm" për të dhënat sekrete dhe se të gjitha dokumentet e tilla i ishin kthyer qeverisë, është takuar me agjentë të FBI-së, tha një person i njohur me këtë çështje.

Christina Bobb u tha hetuesve federalë gjatë intervistës të premten se ajo nuk e kishte hartuar letrën, por se një tjetër avokat i zotit Trump, i cili tha se e kishte përgatitur atë, i kishte kërkuar që ta nënshkruante atë në rolin e saj si kujdestare e caktuar ligjore për të dhënat e zotit Trump, tha personi, i cili këmbënguli të mbetej anonim pasi çështja është ende nën hetim.

Procesi është me interes për hetuesit sepse Departamenti i Drejtësisë thotë se letra ishte e pavërtetë në pretendimet se të gjitha të dhënat e klasifikuara të kërkuara nga qeveria ishin gjetur dhe kthyer. Ndonëse letra dhe 38 dokumente që mbanin shenja klasifikimi, iu prezantuan zyrtarëve të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë gjatë një vizite në Mar-a-Lago më 3 qershor, agjentët u kthyen në shtëpinë e tij në Florida me një urdhër gjykate më 8 gusht dhe sekuestruan rreth 100 dokumente të tjera të klasifikuara.

Sipas një dosjeje gjyqësore të gushtit, letra e nënshkruar e çertifikimit iu paraqit hetuesve që vizituan Mar-a-Lagon më 3 qershor për të mbledhur materiale shtesë të klasifikuara nga shtëpia e ish-presidentit Trump. Departamenti i Drejtësisë kishte lëshuar javë më parë një urdhër për të dhënat pasi tha se kishte gjetur prova se më shumë dokumente sekrete kishin mbetur në Mar-a-Lago përveç atyre që ndodheshin në 15 kutitë e marra në janar nga Administrata Kombëtare e Arkivave.

Letra për hetuesit pohonte se, në përgjigje të urdhërit të Departamentit të Drejtësisë, "u krye një kontroll i hollësishëm i kutive që u zhvendosën nga Shtëpia e Bardhë në Florida" dhe se "të gjitha dokumentet janë të shoqëruara me këtë letër të çertifikuar". Letra përfshinte gjithashtu deklaratën kjo ishte e vërtetë "bazuar në informacionin që më është dhënë".

Në atë kohë, FBI-së iu prezantua një zarf që përmbante 38 dokumente me shenja klasifikimi, përfshirë ato të nivelit tepër sekret. Por agjentët filluan të dyshonin se nuk kishin marrë të gjithë sasinë e të dhënave dhe u kthyen dy muaj më vonë në shtëpinë e ish Presidentit Trump me një urdhër gjykate.

Avokatja Bobb i tha FBI-së se letra në të vërtetë ishte hartuar dhe përgatitur nga një tjetër avokat i zotit Trump, M. Evan Corcoran, dhe se ai i kishte kërkuar që ta nënshkruante atë në cilësinë e saj si kujdestare ligjore e të dhënave, tha personi në kushte anonimiteti.

Avokati Corcoran nuk ktheu menjëherë një email dhe mesazh telefonik të martën. Zëdhënësit e FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë nuk pranuan të komentonin dhe avokatja Bobb nuk ktheu menjëherë një mesazh telefonik në të cilin i kërkohej të bënte komente për këtë çështje.

Intervista u raportua fillimisht nga rrjeti NBC News. Personi i njohur me këtë çështje tha se ishte një takim i vullnetshëm me hetuesit dhe nuk u zhvillua para një jurie të madhe dhe se ajo nuk konsiderohet si një objektiv i hetimit.

Departamenti i Drejtësisë ka thënë se, përveç hetimit mbi mundësinë e krimeve lidhur me ruajtjen e vetë dokumenteve sekrete, ai po heton gjithashtu mundësinë e përpjekjeve për pengim të këtij hetimi. Nuk është ende e qartë nëse ndaj dikujt do të ngrihen akuza kriminale lidhur me këto çështje.