Ukrainasit e presin me reagime të ndryshme dhënien e çmimit Nobel për Paqen

Oleksandra Matviychuk, (në qendër), drejtore e Qendrës Ukrainase për Liritë Civile duke reaguar gjatë konferencës për shtyp në Kiev (8 tetor 2022)

KIEV, Ukrainë – Një ditë pasi morën çmimin Nobel për Paqe së bashku me aktivistë nga Bjellorusia dhe Rusia, drejtuesja e Qendrës Ukrainase për Liritë Civile vlerësoi punën e laureatëve të tjerë, por tërhoqi vëmendjen kundër grupimit së bashku të këtyre tre organizatave në frymën e një historie të Luftës së Ftohtë.

“Nuk e shikojmë, dhe nuk duhet ta shikojmë, këtë çmim... si një histori sovjetike me vëllazëri mes vendesh”, tha Oleksandra Matviychuk në një konferencë për shtyp të shtunën në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës. “Kjo është një histori që ka të bëjë me luftën kundër një armiku të përbashkët”.

Komentet e zonjës Matviychuk vijnë një ditë pasi disa në Ukrainë patën reagime të ndryshme për vendimin e komitetit të çmimeve Nobel për t’i dhënë çmimin organizatës së saj së bashku me aktivistin e burgosur bjellorus Ales Bialiatski dhe me grupin e mirënjohur rus të të drejtave të njeriut, Memorial.

Qendra Ukrainase për Liritë Civile u themelua në vitin 2007 për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Berit Reiss-Andersen, kryetare e Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel, tha se paneli vendosi të nderojë "tre kampionë të shquar të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore".

Disa ukrainas shprehën pakënaqësi për atë që ata e perceptuan si një vendosje të Ukrainës në të njëjtën kategori si Rusia dhe Bjellorusia, territorin e të cilave Moska e ka përdorur për të sulmuar Ukrainën.

Këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak u tall me çmimin në një postim në Twitter të premten, duke thënë se komiteti kishte një "botëkuptim interesant të fjalës ‘paqe’.”

Mbrojtësit bjellorusë dhe rusë të të drejtave të njeriut po "luftojnë për të drejtat e njerëzve në diktatura", ndërsa në Ukrainë, grupe si Qendra për Liritë Civile po dokumentojnë "krimet e luftës të këtyre diktaturave sepse raketat fluturojnë në Ukrainë nga Bjellorusia dhe Rusia", shkruajti të premten në Twitter gazetarja ukrainase Anastasia Magazova.

“Përkundër të gjitha meritave të laureatëve nga Rusia dhe Bjellorusia, ukrainasit nuk duan që lufta për të drejtat e njeriut në të tre vendet të perceptohet në mënyrë të barabartë”, shkruajti zonja Magazova, e cila ka mbuluar Ukrainën për shtypin gjerman dhe ukrainas që nga viti 2014.