Nebraska, plane për hapjen e një kanali për t’u lidhur me burimet ujore të Kolorados 

AP EXPLICA-RIO COLORADO-SEQUÍA

Rënia e nivelit të ujit ka bërë që banorët në shtetin e Nebraskës të planifikojnë hapjen e një kanali për të marrë ujë nga një lum në shtetin perëndimor të Kolorados. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns sjellë hollësitë.

Your browser doesn’t support HTML5

Nebraska, plane për hapjen e një kanali për t’u lidhur me burimet ujore të Kolorados

Lumi “South Platte” përshkon shtetin perëndimor të Kolorados dhe shtrihet deri në Nebraska dhe Uajoming. Shumë njerëz mbështeten në këtë lum për nevojat e tyre, thotë studiuesja e politikave të ujit, Jennifer Gimbel.

"Uji i lumit “South Platte” përdoret për nevojat e njerëzve në komunat që janë zgjeruar dhe për bujqësinë", thotë ajo.

Kërkesat në rritje të bashkive për ujë në Kolorado shqetësojnë fermerin e Nebraskës, Steve Hanson.

"Një nga shqetësimet tona është zhvillimi zonave të mëdha urbane në Kolorado, të cilat po kërcënojnë një pjesë të burimit të ujit tonë", thotë ai.

Nebraska po merr masa për të shfrytëzuar një marrëveshje mes disa shteteve që ka një afat 99 vjeçar dhe u jep të drejtën për të hapur një kanal në Kolorado për të marrë më shumë ujë nga lumi “South Platte”. Fermeri nga Kolorado, Don Schneider thotë se përdor ujin e lumit për të ujitur arat e tij me misër.

"Kërkesa e Nebraskës për të hapur një kanal që do të tërhiqte një sasi të ujit që ne e përdorimi për ujitje është shqetësuese. Kjo është shumë shqetësuese për të ardhmen e burimeve tona të ujit”, thotë ai.

Rritja e popullsisë po rrit edhe kërkesat për ujë në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, ku zonja Gimbel thotë se niveli i burimeve nëntokësore të ujit po bie për shkak të viteve të thatësirës.

"Ekziston një presion i madh në pjesën perëndimore të Amerikës. Kjo është një zonë e thatë. Me këto burime ujore ne ndërtuam kopshte në shkretëtirë dhe ekonomia u ndërtua rreth tyre. Të gjithë i ndjejnë pasojat", thotë ajo.

Fermeri Steve Hanson thotë se projekti për gërmimin e kanalit mund të përcaktojë se për sa kohë ai do të mund ta punojë tokën e tij në Nebraska.

"Duhet të ketë një bashkëpunim, ne duhet të shkojmë mirë me fqinjët tanë në perëndim dhe në Kolorado. Unë e kuptoj se çfarë po bëjnë ata tani. Unë do të bëja të njëjtën gjë nëse do të kisha mundësi. Por unë do të doja të shihja kalimin e një sasie të atij uji këtu dhe përdorimin e tij për qëllimet e parashikuara", thotë ai.

Hapja e një kanali nuk është një ide e re. Banorët e Nebraskës e provuan këtë për herë të parë më shumë se 100 vjet më parë. Një raport i gazetës “Omaha Daily Bee” në vitin 1894 thoshte se më shumë se 500 fermerë, disa me tufa bagëtish, kaluan kufirin në shtator dhe filluan të gërmonin. Në mungesë të fondeve, projekti u braktis një vit pasi kishte filluar puna dhe ishte hapur vetëm një e katërta e kanalit që pritej të ishte 100 kilometra i gjatë.

Këtë vit, ligjvënësit e Nebraskës miratuan një fond prej 53 milionë dollarësh për blerjen e tokës dhe projektimin e kanalit të ri, i cili, sipas marrëveshjes mes shteteve, pritet të shtrihet përgjatë të njëjtës rrugë.