Mbyllja e Kolegjit turk, Komiteti i Helsinkit ngre pikëpyetje mbi vendimin e sotëm të Gjykatës

  • Armand Mero

Seanca në Gjykatën Administrative ku u hodh poshtë kërkesa e Kolegjit turk, për pezullimin e vendimit për mbylljen e aktivitetit të tyre

Komiteti shqiptar i Helsinkit ngriti pikëpyetje mbi vendimin e sotëm të Gjykatës së Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e kolegjit turk Mehmet Akif për pezullimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e këtij institucioni arsimor privat, deri në shyrtimin në themel të rastit.

Lexoni edhe këtë Shqipëri, hije dyshimi mbi vendimin për mbylljen e dy institucioneve arsimore turke

Gjykata rrëzoi kërkesën “pa arsyetuar në mënyrë të përmbledhur shkaqet që justifikonin zbatimin e kuadrit ligjor të cituar në shpalljen e vendimit të ndërmjetëm”, shpjegoi në një deklaratë Komiteti i Helinikit, përfaqësuesit e të cilit monitoruan dy seancat e zhvilluara në Gjykatën Administrative për këtë çështje.

Gjykata nuk mori parasysh argumentat e Kolegjit sipas të cilit, vendimi kishte qenë një masë ekstreme, duke qenë se, siç u shpreh gjatë seancës dhe avokati mbrojtës, shkeljet dhe problematikat e konstatuara kishin qenë të një natyre të vogël dhe jo aq shqetësuese. Sipas avokatit të Kolegjit, vërejtjet nga ana e inspektorëve të ministrisë së Arsimit kishin patur të bënin me këndin e dritës në katër klasa, dhe me disa ndërhyrje në palestër.

Përfaqësuesit e Ministrisë nga ana e tyre, pretenduan se Kolegji kishte patur kohën e mjaftueshme për të plotësuar kriteret e kërkuara, por se nuk kishte ndërhyrë, dhe ndërkohë kishte nisur vitin e ri shkollor pa marrë miratimin e ministrisë.

Ekspertët e Komitetit shqiptar të Helsinkit nga ana e tyre thanë se “hetimi gjyqësor ishte i kufizuar dhe nuk u thellua në mënyrë substanciale në sqarimin e çdo momenti procedural mbi dokumentacionin e paraqitur nga palët, me vlerën e provës”, duke shpjeguar se “në funksion të një hetimi gjyqësor të plotë, të gjithëanshëm dhe objektiv, gjykata nuk e shqyrtoi të nevojshme që, në kuptim të dëmit të rëndë dhe të pariparueshëm të referuar, të hetonte dëmin që mund t’i shkaktohet nxënësve të Kolegjit, për të vlerësuar cënimin e interesit më të lartë të fëmijëve (nxënësve) nga mbyllja e Kolegjit Mehmet Akif”.

Po ashtu, në deklaratën e Komitetit të Helsinkit mbi monitorimin e procesit, vihet në dukje se “sjellja dhe mënyra se si u formuluan pyetjet për palët nga gjyqtarja, krijuan pikëpyetje sa i takon parimit të paanshmërisë dhe kontradiktoritetit. Palët që në fazën e legjitimimit të tyre dhe në vijimësi të paraqitjes së parashtrimeve dhe provave, nuk u vendosën në pozita të barabarta në sytë e publikut dhe u vërejtën elementë të njëanshmërisë”.

Për këtë, ekspertët e Komitetit të Helsinkit sollën disa shembuj: “gjyqtarja nuk ndoqi të njejtin standart, në verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga palët”; disa ndërhyrje të gjyqtares që “nënkuptonin qëndrimin e Gjykatës karshi Fondacionit (Kolegjit ndr) që nuk duhet të kishte transferuar veprimtarinë arsimore në godinën e re”; apo dhe fakti se “përgjatë procesit të pyetjeve, pati edhe elementë sugjestionues në pyetjet drejtuar palëve”.

Kolegji është pjesë e fondacionit Gulen, që i përket klerikut turk Fetulla Gulen, i konsideruar nga Ankaraja si organizator i grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2006. Turqia ka kërkuar në mënyrë të përsëritur mbylljen e aktiviteteve të financuara prej tij. Dhe vendimi për mbylljen e Kolegjit është parë si një rezultat i kësaj trysnie, ndonëse autoritetet shqiptare kanë këmbëngulur se vendimi i tyre lidhet rreptësisht me zbatimin e ligjit.

Lexoni edhe këtë Mbyllja e Kolegjit turk, protestojnë nxënëset. Reagon Rama

Por edhe për vendimin e mbylljes së Kolegjit, Komiteti shqiptar i Helsinkit, pas verifikimit të dokumentacionit, kishte arritur në përfundimin se “procedurat e autoriteteve për mbylljen e Kolegjit Turk “Mehmet Akif Ersoy” nuk përmbushin standardet e procesit të rregullt, duke rezultuar me dhënien e një masë të ashpër, të nxituar, jo proporcionale dhe me pasoja të dëmshme”.