Gjatë grushtit të shtetit në Burkina Faso javën e kaluar, civilët dhe trupat ushtarake dolën në rrugë me flamuj rusë, duke thënë se donin që partneriteti i sigurisë së vendit me Francën duhej të zëvendësohej me Rusinë. Në këtë raport nga kryeqyteti i Burkina Fasos, Ouagadougou, korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Wilkins njofton sesi fushata ruse e dezinformimit luajti rol në grushtin e dytë të shtetit brenda tetë muajsh në këtë vend.
Your browser doesn’t support HTML5
Të dielën, dy ditë pasi udhëheqësi i ri i juntës së Burkina Fasos, Ibrahim Traore, njoftoi në televizionin kombëtar se udhëheqësi i grushtit të shtetit të mëparshëm ishte rrëzuar… një nga ushtarët e tij doli nga një automjet i blinduar i OKB-së, me sa duket i vjedhur, duke valëvitur një flamur rus.
Rrugët e Ouagadougous ishin kaotike.
Përballë ambasadës franceze, protestuesit valëvitën edhe flamuj rusë.
“Rusia do të na ndihmojë për shkak të gjakderdhjes dhe vuajtjes së ushtrisë sonë. Për shkak të disa politikanëve që ofrojnë vetëm qeverisje të keqe, ne e duam Rusinë” tha një protesues.
Tek ambasada, ata rrëzuan gardhin rrethues dhe hodhën bomba me lëndë djegëse mbi muret e saj. Forcat franceze reaguan me gaz lotsjellës dhe breshëri të shtënash paralajmëruese.
Franca ka bashkëpunuar me Burkina Fason në luftën e saj gati shtatëvjeçare me militantët e lidhur me Shtetin Islamik dhe Al-Kaidan. Por, qëndrimet anti-franceze po rriten. Shumë njerëz tani mendojnë se Rusia është më e përshtatshme për zgjidhjen e problemeve të sigurisë së Burkina Fasos.
Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paraushtarak rus “Wagner”, ka shprehur mbështetjen për udhëheqësin e ri të juntës.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Prigozhin tha se Traore dhe njerëzit e tij “kanë bërë atë që ishte e nevojshme” për të mirën e popullit të tyre.
Ismael Sawadogo, pronar i një dyqani në periferi të kryeqytetit mbështet ndërhyrjen ruse.
“Rusia ka armë dhe gjithashtu një vizion që do të ndihmojë Afrikën. Kjo është arsyeja pse ne duam që ata të vijnë këtu për të na ndihmuar në luftën tonë. Ajo që Rusia po bën në Mali është e mirë. Po, siguria në Mali është përmirësuar”, tha zoti Sawadogo.
I pyetur se ku e ka marrë flamurin rus dhe rrobat me ngjyra ruse, ai tha se e bleu pëlhurën dhe ato ia ka bërë një rrobaqepës.
Constantin Gouvy, analist në Institutin holandez “Clingendael”, thotë për Zërin e Amerikës se si ndërhyrja dhe propaganda ruse në Malin fqinj po ndikon negativisht tek siguria dhe rikthimi i vendit tek demokracia.
“Ajo që shohim në rastin e Malit është se përmbajtja pro-ruse e lidhur me Rusinë u shfaq pikërisht në kohën kur junta kërkoi zgjatjen e tranzicionit dhe më vonë kërkoi që grupi Wagner të shkonte në Mali. Ajo që kemi parë është se grupi Wagner i ka përkeqësuar gjërat në pothuajse të gjitha rastet”, vlerëson zoti Gouvy.
Një tjetër analist i tha Zërit të Amerikës se grupi Wagner nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar situatën në Mali dhe se është më i interesuar të minojë përpjekjet e politikës franceze.
Ndërkohë, njerëz si Pascal Dima po fitojnë para. Ai udhëton gjithandej nëpër kryeqytet me motoçikletën e tij, duke iu shitur flamuj rusë protestuesve.
“Flamujt i shes për 1000 franga. Njerëzit i kërkojnë shumë. Kam pasur 350 flamuj që i kam ndarë me një mik për t'i shitur. Sot ky është i vetmi që më ka mbetur, atë e kam mbajtur për vete. Ato i marr nga një rrobaqepës për 800 franga secilën”, tha zoti Dima.
Megjithë përfitimet afatshkurtra për disa, ekspertët thonë se duket se Rusia do të bëjë më shumë dëm sesa mirë në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për problemet e sigurisë në Burkina Faso.