Çmimi Nobel për paqe – veprimtarëve për të drejtat e njeriut në Bjellorusi, Ukrainë dhe Rusi

Veprimtari bjellorus i të drejtave të njeriut Ales Byalyatski, organizata ruse e të drejtave të njeriut Memorial dhe organizata ukrainase e të drejtave të njeriut Qendra për Liritë Civile, u shpallën të premten fitues të çmimit Nobel për Paqen për vitin 2022.

Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se fituesit e çmimit “përfaqësojnë shoqërinë civile në vendet e tyre të origjinës. Ata kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve”.

Më tej në njoftim thuhet se "ata kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shpërdorimin e pushtetit. Së bashku ata dëshmojnë rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë".

Kryetarja e Komitetit Berit Reiss-Andersen, tha se "Komiteti Norvegjez i Nobelit dëshiron të nderojë tre kampionë të shquar të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe bashkëjetesës paqësore në vendet fqinje, Bjellorusi, Rusi dhe Ukrainë”.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve bjelloruse të lirojnë nga burgu zotin Byalyatski.

Çmimi Nobel për Paqe, me vlerë prej 10 milionë koronash suedeze, ose rreth 900,000 dollarë, do të dorëzohet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmimet në testamentin e tij të vitit 1895.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters