SHBA, sanksione ndaj zyrtarëve iranianë për ndërprerjen e internetit dhe shtypjen e protestave

Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione ndaj shtatë zyrtarëve iranianë lidhur me ndërprerjen e internetit dhe shtypjen e protestuesve paqësorë pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Departamenti amerikan i Thesarit tha në një deklaratë se vendosi sanksione ndaj ministrit të Brendshëm të Iranit, Ahmad Vahidi; ministrit të Komunikacioneve Eisa Zarepour; dhe kreut të policisë Kibernetike iraniane Vahid Mohammad Naser Majid, mes të tjerëve.

"Shtetet e Bashkuara dënojnë bllokimin e qasjes në internet nga qeveria iraniane dhe shtypjen e vazhdueshme të dhunshme të protestave paqësore dhe nuk do të hezitojnë të vënë në shënjestër ata që udhëzojnë dhe mbështesin veprime të tilla," tha në një deklaratë nënsekretari i Thesarit për terrorizmin dhe zbulimin financiar, Brian Nelson.

Lexoni edhe këtë Analizë: Protestat në Iran vazhdojnë, duke u bërë kërcënim për regjimin e Teheranit  

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shtetet e Bashkuara vunë gjithashtu në shënjestër zyrtarët e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) Hossein Nejatin, një komandant për të cilin SHBA tha se drejton aparatin e sigurisë me bazë në Teheran, i ngarkuar me shtypjen e protestave antiqeveritare, dhe Yadollah Javanin, zëvendëskomandantin politik të Gardës Revolucionare.

Sanksionet vënë gjithashtu në shënjestër zyrtarë të forcave të rendit të Iranit. Departamenti i Thesarit vendosi sanksione ndaj Zëvendës Komandantit të Operacioneve Hossein Sajedinia dhe shefit të policisë në Teheran, Hossein Rahimi, të cilët Uashingtoni i akuzoi se mbikqyrin zbatimit e rregullave të policisë së moralit për hixhabin në qytet.

Vendimi i së enjtes ngrin pasuritë e personave të përcaktuar në Shtetet e Bashkuara dhe i ndalon amerikanët të hyjnë në marrëdhënie me ta. Ata që kryejnë transaksione me ta, rrezikojnë gjithashtu të goditen nga sanksionet.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione mbi policinë morale të Iranit muajin e kaluar lidhur me akuzat për abuzim ndaj grave iraniane, duke thënë se e konsiderojnë njësinë përgjegjëse për vdekjen e 22 vjeçares Amini, një iraniane kurde e cili vdiq pasi u arrestua në Teheran më 13 shtator për "veshje të papërshtatshme”.

Autoritetet iraniane kanë njoftuar për një numër të madh vdekjesh mes forcave të sigurisë dhe kanë akuzuar kundërshtarët e huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, për ndërhyrje për të destabilizuar Iranin.