Zyrtarët danezë thonë se rrjedhja e metanit nga gazsjellësit e dëmtuara të gazjellësit “Nord Stream” ka të ngjarë të jetë shpërthimi më i madh i gazit të dëmshëm që shkakton efektin serrë në histori, deri më tani. Ekspertët thonë se rrjedhja nuk ka të ngjarë të ketë qenë aksidental, duke shtuar se përpjekjet për të mësuar se si ka ndodhur ai do të jenë shumë të vështira. Ndërkohë shkencëtarët po vazhdojnë përpjekje për të matur me saktësi sasinë e gazit të rrjedhur në Detin Baltik.
Your browser doesn’t support HTML5
Në disa nga zonat më të thella të Detit Baltik, mund të shihet shkuma dhe fluskat e shkaktuara nga rrjedhja e metanit nga tubacionet e gazsjellësit “Nord Stream”.
Rrathët e fluskave në disa zona janë përhapur në një diametër prej rreth 1,6 kilometrash. Para se të raportoheshin rrjedhjet e metanit, stacionet sizmike në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë regjistruan një numër shpërthimesh.
Bill Collins, profesor i proceseve klimatike në Universitetin e Reading thotë se po vazhdojnë përpjekjet për të mësuar saktësisht sasinë e gazit të rrjedhur dhe ritmin me të cilin ai ka rrjedhur në det.
"Po bëhen përpjekje për të matur sasinë e gazit që ka rrjedhur. Disa ekspertë kanë thënë se bëhet fjalë për rrjedhje të rreth një çerek milion toni metan", thotë zoti Collins.
Profesor Collins shpjegon se metani në atmosferë vepron si një gaz serrë që kontribuon në ngrohjen globale, por ai thotë se dëmi që mund të shkaktojë do të jetë i kufizuar për sa kohë që rrjedhja e tij ndalet.
"Metani nuk është si një ndotës i lokalizuar që do të rrezikonte vetëm banorët e Suedisë dhe Norvegjisë. Ai do të shpërndahet në mbarë botën dhe do ta humbë dendësinë. Por, në këtë mënyrë ai do të prekë më shumë njerëz, do të prekë të gjithë. Rrjedhja e tij do të ndikojë në nivelet e ozonit për të gjithë në botë, por vetëm me një sasi të vogël për shkak të përhapjes së tij të shpejt", thotë ai.
Zoti Collins thotë se rrjedhjet e vazhdueshme prej kohësh nga rrjetet e shpërndarjes së gazit natyror në të gjithë botën janë ende një problem si për ozonin sipërfaqësor ashtu edhe për ndryshimet klimatike.
Joan Cordiner, profesore e Inxhinierisë së Proceseve në Universitetin e Sheffield-it thotë se sasia e gazit të rrjedhur e bën pothuaj të pamundur teorinë se ky veprim ka qenë aksidental.
"E vetmja gjë që do të shpjegonte rrjedhjen e një sasie kaq të madhe gazi do të ishte një shpërthim i fuqishëm ose një tërmet katastrofik. Ekspertët e fushës sime thonë se në zonën ku ndodhen tubacionet janë regjistruar shpërthime, por jo dridhje të tokës", thotë profesorja e Inxhinierisë së Proceseve në Universitetin e Sheffield-it.
Zonja Cordiner shton se tubat prej çeliku dhe betoni janë ndërtuar veçanërisht për t'i bërë ballë sulmeve, kështu që shpërthimi duhet të jetë shkaktuar nga një forcë e madhe. Vendi ku ka ndodhur incidenti është një shenjë se ai mund jetë planifikuar me kujdes.
"Kjo pjesë e tubacionit ndodhet në zonën më të thellë të detit. Kështu që në njëfarë mënyre ajo duhet të ketë qenë një nga pjesët më të sigurta të tubacionit sepse ndodhet larg çdo rruge të transportit detar. Nuk mendoj se ajo pjesë ishte duke u monitoruar. Dhe nëse ky ishte një veprim i qëllimshëm, atëherë autorët nuk do të zgjidhnin një vend që ishte nën monitorim", thotë ajo.
Zonja Cordiner thotë se do të jenë të vështira përpjekjet për të zbuluar mënyrën se si është realizuar ky veprim.
Disa zyrtarë evropianë dhe ekspertë të energjisë pohojnë se Rusia ka të ngjarë të jetë fajtore për përpjekjeje për sabotim sepse ajo përfiton drejtpërdrejt nga çmimet më të larta të energjisë dhe ankthi ekonomik në të gjithë Evropën.
Por, të tjerët paralajmërojnë që të mos fajësohet askush derisa hetuesit të jenë në gjendje të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur.