Shkrimtarja franceze Annie Ernaux fiton çmimin Nobel në letërsi

Shkrimtarja franceze Annie Ernaux u shpall këtë vit fituese e çmimit Nobel për letërsinë, për veprën e saj që sikurse tha Akademia suedeze, ndriçon këndet e errëta të kujtesës, familjes e shoqërisë franceze që nga vitet 1940.

Akademia tha se shkrimtarja 82 vjeçare, u vlerësua për "guximin dhe mprehtësinë e perceptimit, falë së cilit ajo zbulon rrënjët, dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale". Ajo është e para laureate franceze për letërsinë, që nga viti 2014, kur çmimi iu dha shkrimtarit Patrick Modiano.

Vetë shkrimtarja i tha transmetuesit suedez ‘SVT’ gjatë një interviste telefonike se çmimi ishte një nder e përgjegjësi shumë e madhe për të.

Annie Ernaux e nisi karrierën e saj me romane autobiografike, dhe shumë shpejt braktisi prozën duke u përqëndruar tek kujtimet.

Kryetari i komitetit të Nobelit për Letërsinë Anders Olsson, tha se zonja Ernaux përdorte termin "etnologe e vetvetes" dhe jo shkrimtare e letersisë artistike.

Në rreth 20 prej librave të saj, shumica prej të cilëve shumë të shkurtër, ajo përshkruan jetën e saj dhe të atyre që e rrethojnë. Në librat e saj ajo paraqet portrete pa kompromis që përshkruajnë marrëdhëniet e saj kryesisht ato seksuale, sëmundjet, çështje si aborti apo vdekjen e prindërve të saj.

Zoti Olsson tha se puna e zonjës Ernaux ishte shpesh "pa kompromis dhe e shkruar në gjuhë të thjeshtë e të pastër".

"Ajo ka arritur diçka të admirueshme dhe të qëndrueshme", tha ai për gazetarët.

Shkrimtarja Ernaux e përshkruan stilin e saj të të shkruarit, të zhveshur nga emocionet, duke synuar një paraqitje shumë objektive të ngjarjeve që ajo përcjell.

Në librin falë së cilës ajo fitoi famë, ‘A Man’s Place, ‘Një vend burrash’, një libër në të cilin ajo flet mbi marrëdhëniet me babain e saj, ajo shkruan: "Asnjë kujtim emocional apo shfaqje ‘triumfuese’ ironie. Stili neutral i të shkruarit më vjen natyrshëm”.

Romani i saj i vitit 2000 titulluar "Ndodhi", përshkruan pasojat e abortit të paligjshëm.

Libri i saj më i vlerësuar nga kritika është "The Years" ‘Vitet’, botuar në vitin 2008 në të cilin ajo përshkruan veten dhe shoqërinë franceze nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Ndryshe nga librat e mëparshëm, në të ajo shkruan për veten, në vetën e tretë.

"Historia e një vajze", botuar në viti 2016, përshkruan jetën e një gruaje të re në vitet 1950.

Annie Ernaux është e 17-ta grua në mesin e 119 laureatëve që merr çmimin Nobel për letërsinë.