Ish-presidenti i majtë i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva dhe presidenti aktual i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, do të përballen në balotazh më 30 tetor, pasi asnjëri prej tyre nuk mori votat e nevojshme për të kaluar pragun zgjedhor.
Your browser doesn’t support HTML5
Ish-presidenti i majtë brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva mori 57 milionë vota në zgjedhjet presidenciale të së dielës, duke mos kaluar pragun prej 50%, të nevojshëm për të shmangur balotazhin.
Zoti Lula mori 48.4% të votave të vlefshme.
"Gjithmonë kam menduar se do t'i fitojmë këto zgjedhje dhe dua t'ju them se do t'i fitojmë këto zgjedhje. Është vetëm çështje kohe”.
Presidenti aktual, Jair Bolsonaro i ekstremit të djathtë, mori 43.2% të votave të vlefshme, ose më shumë se 50 milionë vota, duke ngushtuar hendekun, ndryshe nga sa parashikonin sondazhet. Zoti Bolsonaro ka qenë një kritik i ashpër i parashikimeve.
“Ne e mposhtëm gënjeshtrën e sotme, statistikat që parashikonin rezultatin 50-30. Po shkojmë drejt një territori të barabartë".
Zoti Bolsonaro, një nga udhëheqësit më të spikatur të ekstremit të djathtë në Amerikën Latine, tregoi një forcë befasuese.
Përveç sigurimit të balotazhit, më shumë se 100 aleatë të Partisë Liberale të zotit Bolsonaro u zgjodhën në parlament, duke fuqizuar pozitat e partisë, kryesisht në shtetet vendimtare si Sao Paulo që është më i pasuri dhe më i populluari në Brazil.
Rreth 120 milionë brazilianë morën pjesë në votimet paqësore të së dielës.
“Është e rëndësishme të votojmë për dikë që përfaqëson vlerat dhe synimet tona”, tha për Zërin e Amerikës Alexandra Padilha, ndërsa hidhte votën të dielën.
Alexandra Padilha thotë se ajo mbështeti zotin Bolsonaro nga frika se Brazili do të kthehej në një vend socialist si Venezuela.
“Do të thotë uri, mungesë e të drejtave, e lirisë fetare. Do të thotë një parti e vetme”.
Arthur Stelle, i cili është 16 vjeç dhe votoi për herë të parë, thotë se dëshiron ndryshim.
"Ishte një ndjenjë e mahnitshme. Është e pabesueshme të marrësh pjesë në ndryshimet e vendit. Na duhet një ndryshim i madh në drejtimin e qeverisë”.
Ekspertët thonë se kandidatët Lula dhe Bolsonaro tani do të luftojnë për të tërhequr votuesit, sidomos ata që votuan për kandidatët e tjerë, një detyrë jo e lehtë.
“Ajo që më bën të votoj është vendosja e fatit të vendit tim, por nuk do të votoj për Lulën apo Bolsonaron”, thotë Patricia do Vale.
Zoti Lula formoi aleanca gjatë gjithë fushatës së tij dhe ka gjasa që kandidati centrist Simone Tebet, i cili zuri vendin e tretë në zgjedhje, ta mbështesë atë.
Balotazhi mes kandidatëve Lula dhe Bolsonaro është caktuar për më 30 tetor.