Numri i të vdekurve nga uragani Ian shkoi mbi 80 të dielën, ndërsa banorët e prekur nga stuhia në Floridë, Karolinën e Jugut dhe Karolinën e Veriut kanë filluar përpjekjet e rimëkëmbjes, që pritet të kushtojë disa dhjetëra miliarda dollarë, sipas përllogaritjeve. Firma Verisk, e cila analizon rreziqet, thotë se kompanitë e siguracioneve ka gjasa të përballen me fatura që shkojnë deri në 57 miliardë dollarë, ndërsa përpiqen të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga uragani Ian. Kamerat e Zërit të Amerikës ishin në një prej zonave të goditura tejet rëndë nga stuhia, në qytetin Fort Myers në Floridën Jugperëndimore.
Javë më parë, një destinacion i preferuar për pushime, tani qyteti Fort Myers në Florida, është kthyer në një zonë shkatërrimesh nga uragani Ian. Njoftimet thonë se numri i të vdekurve nga stuhia pritet të rritet. Qyteti Fort Myers në qarkun Lee është shkatërruar pothuajse tërësisht. Stuhia e fuqishme i ka hedhur jahtet si lodra mbi njëra-tjetrën.
Me numrin më të madh të viktimave nga stuhia, qarku nuk ka ujë të rrjedhshëm, energji elektrike dhe karburantet janë të mbyllura. Një lagje me shtëpi të parafabrikuara në qytezën Cape Coral pësoi dëme të rënda.
Në një bisedë me Zërin e Amerikës, 77-vjeçari Charles Patrick Meehan thotë se ndodhej në shtëpi kur goditi uragani. Ai thotë se është me fat që shpëtoi.
“Uragani ishte i fuqishëm, si një bombë atomike”.
Tammie Brown, 51 vjeç, thotë se mori djalin dhe dy macet dhe u mbyll në zyrën e ndërtuar me beton dhe tulla.
“Është dëshpëruese sepse sapo kishim rregulluar oborrin, kishim ngritur një gardh të ri dhe një ngrehinë të vogël ku mbanim veglat e punës, por gjithçka është shkatërruar. Edhe streha ku parkoja makinën nuk egziston më”.
Shkalla e dëmeve është troditëse, madje edhe për vetë banorët që kanë përjetuar stuhi të forta në të kaluarën dhe që tani e kanë marrë veten. Ata thonë se stuhitë e mëparshme nuk mund të krahasohen me uraganin Ian.
“Ishte shkatërruese. Askush në Cape Coral apo në Fort Myers nuk mendonte se stuhia do të ishte kaq e fortë. Parashikimet dhe lajmet ishin për qytetin Tampa. Por mendja më shkoi se Cape Coral dhe Fort Myers do të goditeshin”, thotë Tammie Brown, banore e qytezës Cape Coral.
Gjithashtu ishujt pranë brigjeve u goditën rëndë. Ishulli i Pishave, më i madhi aty, njihet për plazhin me guaska, peshkimin dhe pamjet qetësuese. Tani, rrugët janë të mbushura me shtylla dhe pemë të rrëzuara ndërsa banesat janë rrafshuar.
Stuhia ka shkatërruar edhe urën që lidh ishullin me pjesën tjetër të Floridës. Banorët, sidomos në qarqet e goditura rëndë nga uragani, përballen me muaj në mos vite pune për të rindërtuar jetët dhe shtëpitë e tyre.