Indonezi: 125 të vrarë dhe 180 të plagosur gjatë trazirave në një ndeshje futbolli

Të paktën 125 persona humbën jetën gjatë një rrëmujë në një stadium futbolli në Javan Lindore në Indonezi, mbrëmjen e së shtunës. 180 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Shefi i policisë së Javas Lindore, Nico Afinta, u tha gazetarëve se dy pjesëtarë të të forcave të policisë janë në mesin e viktimave, shumica e të cilëve u shtypën për vdekje.

Nico Afinta tha se ndeshja e ligës së parë të futbollit të Indonezisë përfundoi me fitoren e ekipit Persebaya ndaj ekipit Arema. Ai tha se mbështetësit e Aremas, të njohur si Aremania, të pakënaqur me rezultatin hynë në fushë për të ndjekur lojtarët dhe ekipin e Aremas.

Shefi i policisë tha se oficerët e tij “u përpoqën të bindin Aremanian të kthehej në tribuna, por u shpërfillën. Nuk e dimë pse turma u bë gjithnjë e më anarkike dhe më në fund sulmoi edhe policinë. Më në fund, policia hodhi gaz lotsjellës mbi turmën”.

Qindra tifozë vrapuan drejt daljeve për të shmangur gazin lotsjellës, por shumë u mbytën dhe u shkelën. Qindra të plagosur u dërguan me urgjencë në spitalet aty pranë, por shumë prej tyre vdiqën rrugës ose gjatë trajtimit.

Turma e zemëruar dogji gjithashtu 13 makina të policisë.

Presidenti indonezian Joko Widodo, shprehu keqardhjen për tragjedinë në një fjalim televiziv dhe tha se u kishte kërkuar ministrit të sportit, shefit të policisë dhe shefit të Federatës së Futbollit të Indonezisë që të vlerësojnë ndeshjet e futbollit dhe procedurat e tyre të sigurisë. Ai tha gjithashtu se urdhëroi ndalimin e përkohshëm të të ndeshjeve derisa të përfundojnë përmirësimet në procedurat e sigurisë.