Mali i Zi, arrestohen disa persona nën dyshimin se punonin për sigurimin rus

Disa shtetas malazezë janë arrestuar të enjten në Podgoricë nën dyshimin se punonin për shërbimet inteligjente ruse, njoftojnë disa media malazeze.

Sipas informacioneve të tyre , “aksioni është udhëhequr nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), nën juridiksionin e së cilës është kjo vepër penale, dhe është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit” .

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Abazoviq tha se “ aksioni po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka qëllim ruajtjen e interesave kombëtare”.

Zëdhënësi i Prokurori Special, Vukash Radonjiq tha se me urdhër të Gjykatës së Lartë, policia ka kontrolluar banesat dhe lokalet e tjera të disa shtetasve, “për shkak të dyshimit se janë kryer vepra penale, krijimi i një organizatë kriminale dhe spiunazh”.

Sipas një burimi, një nga personat e arrestuar, sipas të dhënave të agjencisë, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një grupi më të gjerë, anëtarët e të cilit janë të njohur për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Dyshohet se bëhet fjalë për një punonjës të administratës shtetërore.

Të njëjtat burime thonë se aksioni i sotëm është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente.