Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina janë vendet e vetme në Evropë që në mënyrë vullnetare kanë riatdhesuar luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik, që ishin arrestuar nga forcat kurde në Siri.
Your browser doesn’t support HTML5
Një raport i ri i ekspertit të sigurisë Adrian Shtuni sjell të dhënat e fundit mbi riatdhesimin e luftëtarëve të huaj në Ballkanin Perëndimor dhe flet mbi sfidat dhe rëndësinë e këtij procesi në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Në një periudhë kur vëmendja e publikut është e përqëndruar në luftën në Ukrainë, ekspertë të sigurisë tërheqin vërejtjen se duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë edhe çështjes së xhihadizmit, pasi ky problem ende nuk ka marrë fund.
Deri në qershor të vitit 2022 Kosova kishte riatdhesuar 12 luftëtarë të huaj nga organizata terroriste “Shteti Islamik”, Maqedonia e Veriut ka rikthyer 11, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina 8, thuhet në një raport të fundit të publikuar nga eksperti i sigurisë Adrian Shtuni.
Megjithëse është një proces me kosto dhe rrezikshmëri të lartë, zoti Shtuni thotë se riatdhesimi mbetet mënyra më e mirë e menaxhimit të këtij fenomeni.
“Sepse nëse nuk riatdhesohen, rreziku ka për të qenë edhe më i madh, sepse nuk menaxhohet dot në distancë. Këta persona në Siri dhe Irak mund të riintegrohen, jo në shoqërinë tonë, por në një Kalifat 2.0 dhe ky do të ishte një problem edhe më i madh. Kështuqë, ka obligime shteti ndaj qytetarëve të tij. Duhet t’i rikthejë dhe duhet që të punojë për të rritur kapacitetet, sepse ky nuk është një problem që mund ta fusësh në frigorifer dhe të mendosh se mund të iki vetë”, tha zoti Shtuni për Zërin e Amerikës.
30 nga 31 burrat e riatdhesuar në këto tri vende janë dënuar ose janë në procese gjyqësore nën akuza për terrorizëm.
Megjithatë, raporti për riatdhesimin e luftëtarëve të huaj në Ballkanin Perëndimor vë në dukje se ndaj të akuzuarve janë dhënë dënime të ulta.
Gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë kanë dënuar tetë luftëtarë të huaj, mesatarisht me 3.4 vite burg.
Ndërkohë, Kosova ka dënuar të paktën 10 luftëtarë të huaj. Mesatarja e dënimeve është 4 vite burg.
Ndërsa Maqedonia e Veriut ka dënuar 7 luftëtarë të riatdhesuar dhe mesatarja e dënimeve të tyre është 6.4 vite.
Veprat e ngjashme në Evropë dënohen me rreth 9 vite burg ndërsa në Shtetet e Bashkuara me 13.5 vite burg.
“Pra është një dritare shumë e vogël mundësie për të rritur intensitetin e punës me ta nëpër burgje, në mënyrë që të ndihmohen të tërhiqen larg ideologjive ekstremiste dhe të përgatiten të riintegrohen në shoqëri. Gjëja kryesore që duhet të bëhet sidomos pasi të dalin nga burgjet është që të punohet me shërbimet sprovuese të cilat duhet që të rrisin kapacitetet, të shtojnë trajnimet për personat që punojnë për shërbimet sprovuese në mënyrë që t’u përgjigjen nevojave të personave që do të dalin nga burgu”, tha zoti Shtuni.
Sipas ekspertit të dënuarit do të lirohen mes viteve 2022-2025.
Procesi i riintegrimit të këtyre personave në shoqëri vështirësohet nga burimet e pamjaftueshme të vendeve përkatëse, thekson raporti.
Megjithatë, Gina Ligon, drejtore e Qendrës Kombëtare të Novacionit, Teknologjisë dhe Edukimit kundër Terrorizmit tha për Zërin e Amerikës se këto vende të Ballkanit Perëndimor po japin një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë.
“Mënyra se si Ballkani Perëndimor ka vendosur të marrë përgjegjësitë e veta, duke riatdhesuar qytetarët e tij, duke marrë përgjegjësinë e gjykimit të rasteve të tyre dhe ndëshkimin e tyre në mënyrë të përshtatshme, është diçka nga e cila të gjithë duhet të mësojmë. Është një problem që duhet ta trajtojmë si probemin tonë, kur janë në pyetje qytetarët tanë”, tha ajo.
Këto komente u bënë pas një diskutimi në Uashington me temë xhihadizmi në Perëndim: Prirjet aktuale”, të organizuar nga programi i ekstremizmit në Universitetin George Washington.
Ekspertët tërheqën vërejtjen se dukuria e ekstremizmit të dhunshëm nuk ka marrë fund, ndërsa sot vëmendja e publikut është më e përqëndruar në sfida të tjera globale, si lufta në Ukrainë, pandemia dhe kriza ekonomike.
“Është shumë me rëndësi të kuptohet se edhe pse ISIS-I është shkatërruar fizikisht në Siri dhe Irak, megjithëse ka ende disa copëza që janë mjaft aktive, por le të themi që Kalifati është shkatërruar, xhihadizmi si ide, si ideologji është ende mjaft i pranishëm. Dhe mund të themi që sfidat para nesh janë më të mëdha sesa kurdo, veçanërisht në Evropë”, tha Hugo Micheron nga programi i ekstremizmit në Universitetin George Washington.
Në përgjithësi nga viti 2018 e deri më 2022 Shqipëria – e cila ka vendosur të riatdhesojë vetëm gra dhe fëmijë – Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë riatdhesuar të paktën 217 persona, prej të cilëve 132 janë fëmijë.