Putin i jep nënshtetësinë ruse ish-kontraktorit amerikan Edward Snowden

Edward Snowden

Presidenti rus Vladimir Putin i dha të hënën nënshtetësinë ruse Edward Snowden, ish-kontraktorit amerikan të sigurisë, i cili publikoi dokumente tepër sekrete që detajonin programet e përgjimit të qeverisë amerikane dhe më pas u largua nga Shtetet e Bashkuara për t'i shpëtuar ndjekjes penale.

Snowden, 39 vjeç, ishte një nga 75 të huajt të cilëve iu dha nënshtetësia nga presidenti rus, por ai thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga nënshtetësia e tij amerikane. Rusia i dha atij azil në vitin 2013, ku ai ende po banon.

Departamenti amerikan i Shtetit e priti me ironi lajmin për nënshtetësinë e re të ish-kontraktorit Snowden në Rusi, duke thënë se ai tani “mund të rekrutohet” për të luftuar për Rusinë në luftën e saj tashmë shtatë-mujore në Ukrainë.

Pavarësisht spekulimeve të Departamentit të Shtetit, avokati i zotit Snowden, Anatoli Kucherena, tha se Snowden nuk do t'i nënshtrohej mobilizimit të 300 mijë trupave që zoti Putin e dekretoi javën e kaluar për të ndihmuar luftën e Rusisë në Ukrainë, pasi Snowden nuk ka shërbyer kurrë në ushtrinë ruse.

Presidenti Putin tha se vetëm ata me përvojë të mëparshme ushtarake do të mobilizoheshin, ndonëse ka patur raporte se edhe njerëz të tjerë janë thirrur, duke përfshirë burra të arrestuar në protestat kundër mobilizimit.

Snowden, një ish-kontraktor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mori statusin e banorit të përhershëm të Rusisë në vitin 2020 dhe tha në atë kohë se ai kishte në plan të aplikonte për nënshtetësinë ruse, pa hequr dorë nga nënshtetësia e tij amerikane.

Edward Snowden e konsideron veten një sinjalizues dhe kur ai publikoi dokumentet e klasifikuara të Shteteve të Bashkuara, disa kritikë të qeverisë amerikane e përshëndetën atë si një hero që avancoi transparencën e qeverisë. Por shumë zyrtarë qeveritarë thanë se ishin të tmerruar nga publikimi i informacioneve tepër sekrete dhe kërkuan kapjen dhe ndjekjen e tij të shpejtë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre nuk pranoi të komentonte në lidhje me njoftimin për marrjen e nënshtetësisë ruse nga Edward Snowden.