Trembëdhjetë të vrarë dhe 21 të plagosur nga të shtënat me armë në një shkollë në Rusi

Qyteti Izhevsk ne Rusi

Një person i armatosur vrau të hënën 13 persona, në mesin e tyre shtatë fëmijë dhe plagosi 21 të tjerë në një shkollë në Rusinë qendrore.

Autoritetet ruse thanë se të shtënat ndodhën në një shkollë në Izhevsk, një qytet rreth 960 kilometra në lindje të Moskës në rajonin Udmurtia. Të plagosur janë 14 fëmijë dhe 7 të rritur.

Guvernatori i Udmurtias, Aleksander Brechalov, tha në një deklaratë se personi i armatosur ende i paidentifikuar, vrau veten.

Në shkollën e sulmuar mësimet i ndjekin fëmijët midis klasave 1 dhe 11. Shkolla është evakuuar dhe zona përreth saj është rrethuar, tha guvernatori.

Sipas hetuesve, personi i armatosur kishte veshur një bluzë të zezë me "simbole naziste". Nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera rreth autorit apo motiveve të tij.

Izhevski, një qytet me 640.000 banorë, ndodhet në perëndim të maleve Urale në Rusinë qendrore.