Në Hungari konsumatorët dhe bizneset po përballen me fatura tejet të larta të energjisë elektrike dhe gazit. Prej fillimit të vitit disa biznese po përballen me një rritje prej 750% të faturave, çka ka rritur frikën për falimentim.
Reduktimi i papritur i një subvencioni që qeveria hungareze garantonte për energjinë elektrike, ka shkaktuar një rritje dramatike të faturave të gazit dhe energjisë për shumë konsumatorë, veçanërisht për bizneset.
Richard Kovacs, i cili punon si menaxher për zinxhirin hungarez të tregtimit të hamburgerave ‘Zing Burger’, tha se disa prej 15 dyqaneve janë ndeshur me një rritje prej 750% të faturave të energjisë elektrike që nga fillimi i vitit, duke çuar në kosto shtesë mujore deri në 3,840 dollarë për dyqan.
"Jemi vërtet në një situatë të vështirë, pasi nuk e dimë se si mund të reduktojmë më tej përdorimin e energjisë", thotë ai, duke shtuar se kompania u përpoq të kursente energji edhe përpara se çmimet të rriteshin në mënyrë dramatike.
Mes masave për kursim të energjisë dhe frikës se situata mund te largojë klientët, zoti Kovacs thotë se kompania do të qëndrojë për aq kohë sa të mundet në treg.
"Ne nuk mund t’i fikim dritat dhe t'i lëmë klientët tanë të ulen në errësirë", thotë ai.
Në një lagje të pasur të Budapestit, kjo furrë buke ka rritur çmimet me 10% për të përballuar rritjen e shpejtë të kostos së energjisë e lëndës së parë. Po kështu për të shmangur mbylljen, ka ndërmarrë masa për të reduktuar përdorimin e energjisë elektrike.
Eszter Roboz, pronare e biznesit, thotë se ndërsa aktualisht ka mjaftueshëm klientë që furra të qëndrojë e hapur, një rritje e mëtejshme e kostos së energjisë mund të vinte në rrezik qëndrueshmërinë e saj.
"Një rritje me dyfish e kostos së energjisë sipas llogaritjeve tona na mundëson të vazhdojmë të operojmë, por nëse çmimet rriten tre apo katërfish, do të duhet realisht të mendojmë nëse mund të vazhdojmë”, thotë ajo.
Edhe pse këtë vit Hungaria pati verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ky biznes u përpoq të reduktonte përdorimin e ajrit të kondicionuar. Po kështu furrat e pjekjes nuk liheshin në prizë pa bukë brenda.
"Sapo nxjerrim bukët nga furra, në moment fusim të tjerat, nuk e lëmë qoftë edhe 10 minuta bosh", thotë zonja Roboz.
Muajt e fundit thotë ajo çmimi i miellit dhe veçanërisht gjalpit, është rritur në mënyrë dramatike. Si masë për të ulur kostot ky biznes përdor vaj ulliri në vend të gjalpit, për pjesën më të madhe të bukëve e pastave që pjek.
Por edhe zgjidhje të tilla nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kursyer për disa biznese.
“Më vjen vërtet keq kur mendoj se kolegët tanë bukëpjekës, bizneset e të cilëve mund të mos jenë në një zone popullore ose kanë personel të vogël, fatkeqësisht do të detyrohen të mbyllen”, thotë ajo.
Hungari, bizneset përballë frikës për falimentim mes faturash ‘të kripura’ të energjisë
Your browser doesn’t support HTML5