Ndihma që njerëzit të gjejnë një mënyrë të sigurt për një vend të sigurt. Ky është qëllimi i një aplikacioni të ri të quajtur Refee, i krijuar nga tre gjimnazistë ukrainas. Korresponentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets sjell historinë e tyre.
Sipas OKB-së, mbi 2 milionë fëmijë, janë bërë refugjatë si rezultat i sulmit rus ndaj Ukrainës. Disa prej tyre, si 11-vjeçari Hassan Al-Khalaf, kaluan vetëm kufirin ukrainas për në Sllovaki.
“Mendimi se mamasë time do ti kishte pëlqyer kjo, më dha forcë” .
Në të njëjtën kohë, tre vajza të shkollës së mesme mësuan për historinë e Hassanit
ndërsa po përgatiteshin të merrnin pjesë në Konkursin ndërkombëtar të teknologjisë për vajzat e reja të quajtur Technovation.
Historia e tij i frymëzoi ato të krijonin një aplikacion për refugjatët nën moshën 14 vjeç.
“Mirë se erdhe në Refee. Është një aplikacion i krijuar për të ndihmuar fëmijët që u detyruan të kalonin kufirin pa prindërit e tyre.”
"Aplikacioni ynë ofron një shërbim përkthimi, vendndodhjen gjeografike dhe një telefonatë në një linjë të specializuar", thotë Sofia Tereshchenko.
Dhe aplikacioni ofron disa fjali të paracaktuara që lejojnë fëmijët e vegjël të komunikojnë ide të mëdha.
“…nëse po flasim për një fëmijë 6-vjeçar, ai ose ajo mund të mos dijë ta shkruaj saktë një fjali. Kështu që ne donim të krijonim një shërbim përkthimi që do të ishte i thjeshtë për t'u përdorur. Fëmija thjesht mund të shtyp një buton – dhe shfaqet një përkthim”, thotë Anastasiia Demchenko.
Deri më tani, aplikacioni ofron shërbim në disa gjuhë.
“Polonisht, sllovakisht, gjermanisht, hungarisht dhe anglisht. Ideja është mjaft globale, kështu që numri i gjuhëve do të rritet në të ardhmen”, thotë Anastasiia Feskova.
Refee mund të ndihmojë një fëmijë të gjejë vendndodhjen e tij dhe të kontaktojë me vullnetarët ose policinë.
"Nëse një fëmijë humbet ose ka probleme, ai ose ajo mund të shtypë një buton dhe aplikacioni do t'i lidhë ata me një linjë telefonike ku mund të marrin ndihmë", thotë Anastasiia Demchenko.
Krijueset e aplikacionit Refee fituan raundin kombëtar të konkursit Technovation dhe arritën në gjysmëfinale në nivel ndërkombëtar.
Por ideja e tyre pati një ndikim kaq të madh, saqë edhe pas konkursit, organizata Technovation po bën çmos për të mbështetur tre vajzat e reja.
“I ndihmoj vajzat të marrin fonde nga rrjeti ynë. Të treja janë refugjate me shumë pak mbështetje financiare; atyre u duhen para që të mund të mbijetojnë, të mbështesin familjet e tyre dhe të nxjerrin në treg aplikacionin.”
Varianti pilot i aplikacionit do të dalë më vonë këtë vjeshtë.
Më pas, vajzat do të zhvillojnë një seri intervistash me refugjatët për të parë se si mund ta përmirësojnë aplikacionin dhe shpresojnë të fillojnë ta shesin atë në tregun amerikan.
Tre vajza ukrainase krijojnë aplikacionin për fëmijët refugjatë
Your browser doesn’t support HTML5